Ekonomi

Hoti: Dështim total i Qeverisë në investime kapitale

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria ka dështuar në investimet kapitale.

Sipas tij, 70 për qind e projekteve të parapara për këtë vit as nuk kanë filluar.

Hoti ka thënë se në periudhën janar-qershor të këtij viti është shpenzuar vetëm 18 për qind e buxhetit për investime kapitale, duke shtuar se sikur në dy vitet e kaluara, edhe sivjet ekonomisë do t’i mungojnë qindra miliona euro qarkullim.

Ai i ka quajtur shqetësuese shpenzimet kapitale sipas organizatave buxhetore.

“Sikurse në dy vitet e kaluara, edhe sivjet ekonomisë do t’i mungojnë qindra miliona euro qarkullim në mungesë të realizimit të investimeve kapitale”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:

Dështim total në investime kapitale: Rreth 70% e projekteve të parapara për 2023 as nuk kanë filluar

Po përsëritet situata e vitit të kaluar. Në periudhën janar-qershor 2023, nga rreth 850 projekte kapitale në nivelin qendror, 70 % të projekteve as nuk kanë filluar dhe janë me 0 % realizim.

Në periudhën janar-qershor 2023, është shpenzuar vetëm 18% e buxhetit për investime kapitale.

Shpenzimet kapitale sipas organizatave buxhetore janë shqetësuese:

– Ministria e Bujqësisë 0%,

– Ministria e Pushtetit Lokal 0%,

– Ministria e Shëndetësisë 2%

– Ministria e Ekonomisë 4%,

– Ministria e Drejtësisë 4%,

– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 5%,

– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë 10%,

– Ministria e Arsimit dhe Shkencës 14%,

– Shërbimi Spitalor 12%

– Ministria e Infrastrukturës 16%.

Sikurse në dy vitet e kaluara, edhe sivjet ekonomisë do t’i mungojnë qindra miliona euro qarkullim në mungesë të realizimit të investimeve kapitale.

/Shqip.com