Lajme

Haziri: Kurti s’e ka zgjidhur një çështje të vetme në dialog

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se kryeministrin Albin Kurti deri më tani ka pasur takime me presidentin serb sa për t’u takuar.

Ai tha se gjatë këtyre takimeve asnjë marrëveshje nuk është arritur.

“Por asnjë marrëveshje e re nuk është arritur. Është biseduar dhe dakorduar lidhur me metodat e implementimit të marrëveshjeve që janë arritur nga ish-kryeministrat e Kosovës”, është shprehur Haziri.

Ai shtoi se deri me tani nuk ka parë që Kurti ka zgjidhur një çështje të vetme.

“Ende nuk e kemi parë Kurtin në veprim për të zgjidhur një çështje të vetme në agjendën e cila pritet të shtjerret së bashku me ndërmjetësin ndërkombëtar, që në këtë rast është BE dhe Lajcak në emër të përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe lehtësimit të vjen nga SHBA-të”.

Në takimin e nesërm sipas tij prioritet duhet të jenë çështjet që janë para, derisa shton marrëveshjen përfundimtare

“Natyrisht, me marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila përfundon me njohje reciproke dhe i obligon të dyja palët që ta zbatojnë dhe, mbi të gjitha, me këmbëngulësi dhe me vullnet politik duhet të insistojmë që kjo të përfundojë sa më parë sepse status-quo është armiku më i madh i Kosovës, e cila sjell tensione. Në këtë rast, kapaciteti i gjetjes së zgjidhjeve tregohet, jo nëpërmjet policisë, por nëpërmjet dialogut”.

Ndryshe, Kurti nesër në Bruksel do të takohet me presidentin serb, Aleksander Vuçiq./SHQIP.com