Lajme

Haxhiu tregon pse iu bashkua protestës që u mbajt para ministrisë që drejton

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në protestë pranë ministrisë që drejton

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka arsyetuar prezencën e saj në protestën e organizuar ditë më parë pranë ministrisë që drejton, pas vrasjes së një 18-vjeçareje me inicialet M.O., nga Ferizaj, dukë thënë se ishte si formë mbështetje nga ana e saj për kërkesat e protestuesve.

“Arsyeja pse kam protestuar në Ferizaj ka qenë si shenjë proteste ndaj veprimeve të policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Gjegjësisht, ndaj mosveprimit të tyre karshi rasteve të dhunës në familje. Arsyeja se pse kam qenë në kohën kur kanë ardhur në Ministrinë e Drejtësisë është jo për faktin që të protestoj, por që me prezencën time aty, t’i përqafoj kërkesat që i ka pasur grupi i protestuesve”, është shprehur Haxhiu në emisionin “Context” në ATV Live.

Lexo edhe:
“Haxhiu t’i zgjidhë problemet si ministre e jo si protestuese”

Më 26 gusht, dhjetëra protestues ishin mbledhur pranë objektit të Ministrisë së Drejtësisë ku po kërkohej shkarkimi i të gjithë gjykatësve, prokurorëve dhe policëve që sipas tyre nuk po i trajtojnë rastet me seriozitet e sipas Kodit të Procedurës Penale.

E pranishme ishte edhe Haxhiu, e cila më pas mori kritika edhe nga vetë organizatorët e kësaj proteste ku brohoritej, ‘ministria i ka duart me gjak‘.

“Krejt vrasësit e grave po ju dalin recidivistë”, “Poshtë institucionet patriarkale”, “Kjo ministri i ka duart me gjakun e grave”, “Jeta e grave hajgare për shtetin” ishin vetëm disa nga thirrjet që u panë në këtë protestë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore./SHQIP.com