Lajme

“Haxhiu t’i zgjidhë problemet si ministre e jo si protestuese”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për pjesëmarrjen në protestën para ministrisë që drejton pas vrasjes së 18-vjeçares M.O., nga Ferizaj.

Sipas saj, Haxhiu duhet “t’i marrë përgjegjësitë në duart e veta që ia përcakton roli i saj dhe ligjet në fuqi”.

“Është mirë që të protestojmë dhe të ngremë zërin – duhet të protestojmë çdo ditë derisa nuk përmirësohet situata sepse shifrat janë alarmante. Por, kur merr një detyrë që të është dhënë në mirëbesim nga qytetarët e Kosovës duhet ta ushtrosh atë detyrë dhe ta luash atë rol”, ka thënë ajo në Klan Kosova.

Hoxha më tej është shprehur se “ministrja nuk është më as opozitare e as lëvizje e lirë”.

“Të jetë karshi njerëzve e jo në turmën e njerëzve por karshi tyre për të diskutuar dhe për të gjetur mënyrën më të mirë të mundshme se si të dalim nga kjo situatë. E kuptoj që as nuk e ka gjetur këtë situatë e as ndoshta nuk do të mund ta përmirësojë deri në pikën zero, por duhet të ballafaqohet me të”.

Problemeve që vendi përballet në sistemin e drejtësisë, sipas deputetes së PDK-së, ministrja Haxhiu duhet “të iu dalë para nga roli i ministres e jo protestueses”./SHQIP.com