Lajme

Haxhiu raporton për vettingun në drejtësi, kërkohet vetting edhe në siguri

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot gjatë ditës ka raportuar në Komisionin Ad-hoc për zhvillimin e procesit të Vettingut në Drejtësi

Haxhiu gjatë këtij raportimi tha se amendamentet kushtetuese për Vettingun janë të harmonizuara me rekomandimet e Venecias dhe janë të gatshme për procedim në Gjykatën Kushtetuese.

“Rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk janë obligative por në një fazë që gjendet Kosova nuk është mirë që të moszbatohen rekomandimet sepse ato lidhen me të drejtat e njeriut, me standardët evropian etj. Me lejoni të ju njoftoj se në seancën e fundit ku po trajtohej opinion i Komisionit të Venecias për Byron për konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, një nga vlerësimet më të mira i kemi marrë nga raportuesit për Kosovën, ku kanë thënë se Kosova është shembull për vendet e tjera se si zbatohen rekomandimet e Komisionit”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se Komisioni i Venecias nuk e rekomandon 100 për qind atë që ka kërkuar Qeveria e Kosovës sa i përket këtij procesi.

“Ndonëse opinion i Komisionit të Venecias nuk e rekomandon  100 për qind atë çfarë ka kërkuar   Qeveria e Kosovës. Pra, vettingun e plotë të gjithë gjyqtarëve  dhe prokurorëve përmes një mekanizmi të jashtëm. Ne, megjithatë mendojmë se rekomandimet janë mjaftë pozitive dhe japin dritën e gjelbër zhvillimit të procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë”.

Krahas kësaj, në këtë komision nuk kanë munguar edhe kërkesat nga anëtarët e pranishëm – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, kërkoi edhe Vetting për sistemin e sigurisë.

Ndërsa, Haxhiu tha se lidhur me këtë po punon Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës duke përmendur se ka qenë edhe plan-program i Qeverisë aktuale.

“Është më e lehtë dhe siç e dini ne e kemi në program qeverisës edhe Vettingun në Polici. Duke përmendur institucionet me të larta dhe ato më të ndjeshme.  Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar në këtë koncept-dokument por, arsyeja pse nuk kanë qenë në të njëjtën linje me Ministrinë e Drejtësisë është edhe për shkak të rrethanave në veri, Është më lehtë sepse nuk ka nevojë për ndryshime Kushtetuese sikurse të vettingu në sistemin e drejtësisë.”, tha ajo.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese, Haxhiu tha se do të kërkojë mbështetje nga opozita dhe bashkësia ndërkombëtare për shkak se është një sfidë për këtë proces.

/Shqip.com