Lajme

Haxhiu pritet që të takohet me ish-krerët e UÇK-së në Hagë me 30, 31 mars dhe një prill

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pritet që të vizitojë Hagën me datën 30, 31 mars dhe me një prill.

Kështu ka bërë të ditur, Flamur Pireva, këshilltari i ministres Haxhiu.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputetin Erxhan Galushi, do të qëndrojnë në Hagë me qëllim të takimit me personat që po mbahen në paraburgim”, ka thënë Pireva.

Gjykata Speciale në Hagë

Delegacioni nga Kosova pritet që të takohet me ish-kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, ish-shefin e GP të LVV-së, Rexhep Selimi dhe me ish-krerët e OVL  e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, e po ashtu edhe me ish-luftëtarin Pjetër Shala.

“Delegacioni do të udhëtojë për në Hagë, nesër më 29 mars”, ka thënë Pireva.

Ditë më parë, Ministrja Albulena Haxhiu në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com kishe deklaruar se ajo ka kërkuar takim me të gjithë ata që po mbahen në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së në Hagë

“Nuk mund të them me siguri se do t’i takojë të gjithë, pasi që zoti Thaçi e Veseli kishin refuzuar t’i takonin përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë gjatë një vizite që këta të fundit kishin pasur në Hagë”, kishte thënë Haxhiu./Shqip.com