Lajme

Haxhiu: Nuk mund t’i tolerojmë rastet kur zyrtarët nuk kryejnë punën e tyre

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën ka shpërndarë mbi 120 certifikata për kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin e jurisprudencës.

Haxhiu ka thënë se ajo çfarë më së shumti kemi nevojë është që njerëzit që paguhen me taksat e qytetarëve të kryejnë detyrën e tyre.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për shtetin, sepse ju do të jeni gjyqtarët, prokurorët e së ardhmes. Jam e vetëdijshme që ju jeni përballur me sfida. Pas marrjes së kësaj certifikate juve do ju hapen dyert, dhe uroj që t’i shërbeni barazisë dhe drejtësisë. Ajo çfarë më së shumti kemi nevojë është që njerëzit që paguhen me taksat e qytetarëve të kryejnë detyrën e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Gjatë ceremonisë ministrja ka përmendur edhe rastin e 11-vjeçares, duke theksuar se me dështimin e institucioneve po pësojnë qytetarët.

“Marr shkas të përmend edhe zhvillimet e këtyre ditëve, ku ne pamë që kur institucionet nuk kryejnë obligimet e tyre, pasojat i vuajnë fëmijët, gratë. Nuk mund të tolerojmë rastet kur zyrtarët nuk kryejnë punën e tyre.”

Ajo ka kometuar edhe diskutimin që kishte me një person që është tallur me një rast dhunimi.

“Më vjen shumë mirë që postimi im është komentuar dhe ka pasur debate për këtë. Unë kam qëndrimin e njëjtë dhe mendoj se vetëm përmes veprimeve të tilla sikurse edhe postimi që kam bërë ngritët debati për një çështje kaq të ndjeshme dhe përballemi me argumente të ndryshme në raport me këtë çështje. Për mua ata të cilët tentojnë të tallen me viktimat e pedofilisë, apo në forma të tjera përqeshin viktimat e pedofilisë apo me pedofilinë si krim nuk mund të dallojnë shumë nga pedofilët”.

“Ndonëse legjislacioni në fuqi i trajton ndryshe. Prandaj, kushdo që tenton në forma të tilla të relativizojnë, të zbehin pasojat e pedofilisë mendoj që e ka gabim dhe do ta them gjithnjë dhe në vazhdimësi”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka thënë që do ta raportojë në polici dhe sigurisht që pastaj organet tjera, të cilët e kanë mandat të bëjnë hetime do të merren nëse e konsiderojnë që ka bërë një vepër penale.

“Sipas informacioneve që unë i kam, policia ka qenë në dijeni për gjithë këtë diskutim që është bërë në rrjetet sociale. Prandaj, nëse ata e vlerësojnë që duhet të vazhdohet tutje, ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Unë asnjëherë nuk kam thënë që do të ngris apo do të bëjë një kallëzim penal. Unë kam thënë që do ta raportojë në polici dhe sigurisht që pastaj organet tjera, të cilët e kanë mandat të bëjnë hetime do të merren nëse e konsiderojnë që ka bërë një vepër penale”.

Për më tepër, ajo shtoi se një postim i tillë është nxitje për të tjerët që merren me pedofilinë./SHQIP.com