Lajme

Haxhiu: I propozova Konjufcës që ta hedhë në votim shpërbërjen e Kuvendit

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se sot i ka propozuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që ta hedhë në votim shpërbërjen e Kuvendit pas mungesës së kuorumit në seancën e sotme.

Haxhiu tha se sot u dëshmua se kjo mazhorancë nuk e ka më legjitimitetin për të udhëheqë me vendin.

Qytetarët votuan 51% për ndryshim, për zhvillim, ndërsa këta çdo ditë po ofrojnë dështim dhe keqmenaxhim. Kauzat me të cilat bënë fushatë u shkelën e premtimet u tretën. Mungesa e kuorumit në seancë parlamentare vjen nga papërgjegjësia e deputetëve të zgjedhur të LVV-së. Sot, pas dështimit të dytë të seancës së Kuvendit në mungesë kuorum, i propozova kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca që ta hedhë në votim shpërbërjen e Kuvendit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Për mosardhjen në seancë të deputetëve gjatë seancës tregoi nervozizëm edhe vetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se kjo legjislaturë s’e meriton të vazhdojë.

Po ashtu, edhe Thomas Szunyog, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, ka kritikuar deputetët e shumicës pasi për herë të dytë radhazi po dështohet seanca për shkak të kuorumit.

Lexo edhe:
Szunyog: Është zhgënjyese dështimi i seancave plenare për shkak të mungesës së deputetëve

Ai ka thënë se është zhgënjyese që Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe një herë që të mbajë seancë për shkak të mungesës së deputetëve.

Është zhgënjyese që Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe një herë të mbajë seancë plenare për shkak të mungesës së deputetëve”, ka shkruar shefi i Zyrës së BE-së në Twitter.

/Shqip.com