Kulturë

Harry Styles anulon koncertin në Kopenhagë, pas të shtënave me armë

Ylli britanik i popit Harry Styles ka anuluar performancën e tij në Kopenhagë pas të shtënave në një qendër tregtare pranë vendit të koncertit ku ai ishte planifikuar të performonte.

Tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga të shtënat massive në qendër tregtare në kryeqytetin danez.

Styles ishte vendosur të performonte aty pranë në Royal Arena, por njoftoi se shfaqja nuk do të ndodhte më, duke përmendur tragjedinë.

“Unë jam zemërthyer së bashku me njerëzit e Kopenhagës. E adhuroj këtë qytet. Njerëzit janë kaq të ngrohtë dhe plot dashuri,” shkroi Styles në Twitter. 

“Jam i shkatërruar për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të lënduarit. Më vjen keq që nuk mund të ishim bashkë. Ju lutemi kujdesuni për njëri-tjetrin.”

Një person i armatosur ka vrarë tre persona dhe ka plagosur disa të tjerë, tre prej tyre në gjendje kritike, në një nga qendrat tregtare më të mëdha të Danimarkës, thotë policia.

22-vjeçari, i përshkruar si “një danez etnik”, u arrestua dhe u akuzua për sulmin që shkaktoi panik në qendrën tregtare Field në jug të Kopenhagës.

Shefi i policisë Soeren Thomassen tha se nuk kishte asnjë tregues se të shtënat ishin një akt terrori.