Lajme

Haradinaj thotë se Qeveria po tregon shkurtpamësi

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj

Vendimi i ri i Qeverisë për targat shihet si i pamenduar mirë nga ish-kryeministri Haradinaj. Përmes rrjetit Facebook ai ka shkruar se kjo mund të ketë pasoja për vendin.

“Vendimi i fundit i Kryeministrit për targat, i paharmonizuar dhe i pakonsultuar me aleatët perëndimorë, posaçërisht me SHBA, është një vendim shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin”, shkruan Haradinaj.

Sipas tij nuk ka kuptim të kërkojmë ndihmën e tyre, kur ne nuk i përfillim rekomandimet që vijnë nga ta.

“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të Botës të na ndihmojnë t’i japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë,  dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye në veti e pa koordinim me partnerët strategjik”, thekson Haradinaj.

Ai e ka këshilluar kryeministrin Kurti që të rishikojë vendimin për targat.

“Kryeministri duhet t’i analizojë mirë hapat e tij dhe në këtë fazë jetike për vendin duhet të jetë në harmoni të plotë me Amerikën dhe BE-në. Andaj, i kërkoj ta rishikojë edhe vendimin për targat”, thotë Haradinaj.

Haradinaj shpreson se paknaqësia e ndërkombëtarëve me vendimin e fundit të mos ketë pasoja në marrëdhëniet e shkëlqyera që Kosova i ka ndërtuar me partnerët strategjik.

/Shqip.com