Lajme

Haradinaj-Stublla publikon dokumentin ku Rusia i referohet Kosovës si Republikë

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, të premten publikoi një dokument, në të cilin Rusia i referohet shtetit të Kosovës si Republikë.

Sipas saj, dokumenti në fjalë vërteton që tashmë Rusia e ka njohur Kosovën dhe fuqinë e saj ligjore.

“Nëse Rusia s’e njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë pse më 27 nëntor është dërguar një notë verbale në adresë të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, e jo në adresën e UNMIK-ut? Vë bast se kjo konfirmon se Rusia e njeh Kosovën dhe fuqinë e saj ligjore”, shkruan Haradinaj-Stublla në llogarinë e saj në Twitter.

Reagimi i saj vjen pasi Ambasada e Rusisë në Beograd deklaroi se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ambasada ruse në Beograd

“Vendimet e marra nga shteti i panjohur i Kosovës nuk kanë fuqi ligjore”, kanë thënë nga kjo ambasadë derisa kanë komentuar vendimin e Kosovës për dëbimin e dy diplomatëve rusë.

“Ne nuk e njohim ‘pavarësinë’ e Kosovës, prandaj nuk e njohim ‘qeverinë’ dhe ‘strukturat’ e tjera të saj. Asnjë nga vendimet e Prishtinës nuk ka fuqi juridike për ne”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse./SHQIP.com