Lajme

Haradinaj: Më pak para për qytetarin e Kosovës në buxhetin e vitin 2023

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, është duke u diskutuar projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023. Opozita duke iu referuar projektligjit të propozuar në kuvend, e ka quajtur hakmarrës dhe që do i varfëroj qytetarët e Kosovës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar se qytetarët do të jenë për 25% më të varfër.

“Për të qenë më i qartë, qytetarët që marrin paga nga shteti, shërbyes civilë, pensionistë dhe të gjitha kategoritë e tjera, do të jenë për 25% më të varfër krahasuar me 2022, sepse me pagat e tyre do të blejnë 25% më pak mallra të konsumit”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij më këtë buxhet projeksioni i të hyrave është bërë pa asnjë logjikë financiare.

“Me këtë buxhet, do të mbeten mangu një e katërta e investimeve kapitale, ndërsa vet projeksioni i të hyrave, është bërë pa asnjë logjikë financiare.

Të hyrat nga tatimi i korporatave apo tatimi në fitim parashihet të shtohet 41%, të hyrat nga tatimi në të ardhura personale parashihet të rritet 24%, ndërsa rritja e pagave realizohet në vlerën 11%. Pra, më shumë taksa për qeverinë, e më pak para për popullin”, thekson Haradinaj.

Tutje, kryetari i AAK-së ka thënë se investimet kapitale janë dështim i kësaj qeverie.

“Dështimi më i tmerrshëm ndonjëherë, i ndonjë qeverie në Kosovë, është pikërisht dështimi i qeverisë Kurti në investimet kapitale. Shuma e paraparë për investime kapitale, që kap shifrën 810 milionë, është në masë 90% vetëm bartje nga mosrealizimi i investimeve nga viti 2021 (rreth 200 milionë) dhe nga viti 2022 (rreth 500 milionë)”, ka shkruar Haradinaj.

/Shqip.com