Lajme

Haradinaj i reagon Muhaxherit për demarkacionin

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ku ky i fundit në një intervistë dhënë për gazetën Blic InterView, e ka kritikuar AAK për çështjen e asociacionit dhe demarkacionit.

“Paska folur Gazmend Muhaxheri edhe një herë për demarkacionin, duke ma ngarkuar në qafë veç mua! Ani se populli thotë “gjuha prej tuli është”, por z. Muhaxheri duhet ta dijë se kur ta lënë “kopilin te dera”, duhet të merresh me të, e ai e di më mire se kushdo tjetër se kush na e la “kopilin” e demarkacionit te dera”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se, unë dhe partia ime, duke qenë krejtësisht vetëm në këtë temë, kemi bërë aq sa ka qenë e mundur, duke e rikthyer demarkacionin në procedurë korrigjimi, kjo duke e siguruar edhe pajtimin e Malit të Zi.

“Mirë do të ishte të flasë për ata që e kanë gatuar edhe asociacionin edhe demarkacionin, e jo ta drejtojë gishtin nga ata që janë munduar ta ndreqin edhe të pandreqshmen”, ka thënë në fund Haradinaj.

Ndryshe, Muhaxheri tha se kemi dy parti, VV dhe AAK të cilat që nga viti 2016 e kanë dëmtuar vendin me tema fiktive, me asociacion dhe demarkacion, të cilat i kanë shndërruar në çështje për të mobilizuar masat.

/Shqip.com