Lajme

Haradinaj: Faktet janë kokëforta, rritja ekonomike nuk është ashtu siç e projektuat

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se rritja ekonomike e prezantuar nga Qeveria e Kosovës nuk është ashtu sipas Bankës Botërore.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se “faktet janë kokëforta”.

“Faktet janë kokëforta! Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore është 3.1% e jo siç e projektuat ju 10.5%. Inflacioni, poashtu sipas Bankës Botërore, është 19.1%. Kjo i bjen se fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës, është përgjysmuar”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj tha se gjendja nuk mund të jetë tjetër kur ka një rritje të çmimeve të produkteve të ndryshme.

“S’ka si të jetë ndryshe, kur janë shtrenjtuar gjithë artikujt e domosdoshëm për jetesë, e qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave! E ka bllokuar edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç ishte “Kosova e Re” dhe gazsjellësi amerikan, me arsyetime qesharake, se megavati prej 80 eurove i dukej i shtrenjtë, e sot, çmimi i tij pothuajse është dhjetëfishuar”.

Sipas të parit të AAK-së, buxheti i ndarë për investime kapitale nuk është shfrytëzuar pasi këto investime nuk janë realizuar ndërsa, rritje ka vetëm në importin nga Serbia.

“Nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre. Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike. Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 % më shumë nga viti paraprak.

Murati: Kosova ka shënuar rritje enorme të eksportit në dy vitet e fundit – SHQIP.com

Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dh e Transferëve, Hekuran Murati ka thënë se dy vitet e fundit Kosova kanë shënuar rritje enorme të eksportit.

Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se në vitin 2019 raporti ishte 1:9 ndërsa, tani qëndron në 1:6.

“Në vitin 2019, raporti eksport: import i mallrave ishte 1:9. Pra për çdo euro që merrej nga malli i eksportuar, nëntë euro mall importoheshin. Me rritjen enorme të eksportit dy viteve të fundit, ky raport është përmirësuar dukshëm dhe aktualisht është 1:6”, shkroi Murati.

Tutje, Murati tha se ky raport do të zvogëlohet falë masave mbështetëse për prodhuesit e Kosovës.

Albin Kurti prezanton progresin ekonomik, thotë se është rezultat i qeverisjes së mirë – SHQIP.com

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në faqen e tij në Facebook ka shkruar se rritja ekonomike është vizion i Qeverisë dhe se kjo do të bëhet përmes përkrahjes së bizneseve vendore.

Ai ka thënë se përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, u subvencionuan 20% e kredive për bizneset prodhuese dhe përpunuese dhe se vlera e përkrahjes kap shifrën e 15 milionë eurove që ishin mbështetje direkte për 207 biznese.

Sipas Kurtit Kosova ka shënuar rritje në vlerat e eksportit dhe se prodhimet tona që shkojnë jashtë vendit janë trefishuar më shpejtë në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se këtë javë do të filloj edhe zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit, e që do të ulë kostot për bizneset edhe konsumatorët për rreth 2 milionë euro.

Ndërsa sa i përket investimeve të huaja direkte, Kosova vazhdon të rritet me 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

I pari i ekzekutivit tha gjithashtu se progresi ekonomik nuk është rastësi e hamendësim sepse është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë.

/Shqip.com