Lajme

Haradinaj: Çështja e demarkacionit nuk kryhet nga një palë

Ramush Haradinaj-AAK

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se çështja e demarkacionit të kufirit kryhet atëherë kur ka përputhje midis dy parlamenteve

Haradinaj ka uruar Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq për postin e ri dhe ka komentuar deklaratën e tij, i cili ka thënë se çështja e demarkacionit është e përfunduar.

“Nuk kryhet kufiri prej një palë, duhet ta kuptojmë këtë, nuk ka kufi që kryhet njëanshëm. Vetëm kur përputhet se kanë votuar dy parlamentet, vetëm atëherë thuhet se është punë e kryer. Çka kanë votuar ata ne fare nuk merremi, është njëra e palë, por pala jonë e Kosovës ka votuar tre dokumente në të njëjtën kohë”, është shprehur Haradinaj në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini.

Sipas Haradinaj, hapi i radhës është komisioni, i cili duhet të dalë të shënojë kufirin sepse siç thotë Haradinaj, Kosova ka të drejtë të shënojë kufirin vetëm për atë se çka ka votuar vetë dhe jo Mali i Zi.

“Kjo nëse nuk ka mirëkuptim atëherë kalojmë në etapën tjetër, nëse kryeministri i Malit të Zi nuk dëshiron të hapë çështjen që kemi votuar ne, atëherë kjo na obligon neve që të shkojmë më tutje”, shtoi ai.

Kryetari i AAK-së ka vlerësuar vizitën e tij në SHBA si të suksesshme, ku ka thënë se po mungon iniciativa e Qeverisë së Kosovës për komunikim bilateral me Departamentin e Shtetit.

“Takimi ka ndodhur në kanale zyrtare, biseda atje ishte pikërisht në nivele zyrtare. Mendoj që mungon iniciativa e qeverisë për një komunikim direkt e bilateral me Departamentin e Shtetit. Komunikimi çfare po ndodhë sot që të takohemi me kongresmenë, kjo është një natyrë tjetër e marrëdhënieve, por komunikimi zyrtar dihet si funksionon, adresa e parë për të hyrë në Amerikë është realisht në këtë rast Departameniti i Shtetit. Jam i habitur nga Kurti e Qeveria pse nuk ka ndodhur”, shtoi ai.