Lajme

Haradinaj: Arben Vitia del i pari në garën për Prishtinën

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka thënë se më 17 tetor kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia “do të dalë i pari në kryeqytet”.

Ndërsa, për vendin e dytë – pozitë që dërgon në balotazh, Haradinaj theksoi se është garë e hapur.

Daut Haradinaj shprehet i bindur që balotazh në Prishtinë do të ketë.

Lexo edhe:
Kryeministri i Spanjës: Të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi ku dy palët janë të kënaqura

“Gara është e hapur, ne jemi në kontakt me njerëz dhe nga përvoja ime e këtyre muajve unë e shoh që do të jetë një rezultat më ndryshe”.

“Pyetja gjithmonë është a do të ketë balotazh? Unë jam i bindur se do të ketë balotazh, por se kush shkon në balotazh mbetet të shihet me datën 17”, tha Haradinaj në Rubikon.

“Është herët të dihet, por për të parin besoj se do të jetë kandidati i Vetëvendosjes, pavarësisht se çfarë mund të flas unë për kandidaturën e tij, ndërkaq për të dytin gara është e hapur”.  

Gara për Prishtinën:

Më shumë se 64 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje i mori në Prishtinë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Por, tre kundërkandidatë të Vitisë e kanë nisur kampanjën zgjedhore muaj më parë.

Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pasi e fitoi mandatin e deputetit në shkurt, e dorëzoi atë. I hyri garës për kryeqytetin.

Më pastaj, Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, filloi me fushatën e tij “me bujt n’Prishtinë”, gjatë shtatorit njëjtë si Haradinaj – dorëzoi mandatin e deputetit.

Prishtina, Kryeqyteti i Kosovës

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës e solli dikë nga Londra që t’ia rikthejë Prishtinën LDK-së, tetë vite pasi e humbën

Përparim Rama, arkitekt – ka muaj që ka startuar fushatën zgjedhore.

Ndërsa, Arben Vitia më 1 tetor u largua nga detyra e ministrit të Shëndetësisë.

Tash synon që pas 17 tetorit ta drejtojë qendrën kryesore në Kosovë.

Prishtina aktualisht qeveriset nga Shpend Ahmeti i cili më 2013 si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje arriti t’ia thyente bastionin Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Shqip.com