Lajme

Kryeministri i Spanjës: Të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi ku dy palët janë të kënaqura

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka deklaruar se duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që dy palët të jenë të kënaqura.

Këtë deklaratë, kreu i ekzekutivit spanjoll e dha pas një takimi që kishte me kryeministrin e Kosovës Albin Kuritn, raporton Agenzia Nova, transmeton Shqip.com.

Takimi erdhi gjatë samitit në Brdo të Sllovenisë i organizuar nga Bashkimi Evropian me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Aty ka marrë pjesë edhe Spanja, por ka kërkuar që simbolet e Kosovës të mos shfaqen.

“Duhet të marrim pjesë në debat dhe ta themi opioinion tonë. Pse të abstenonim derisa aty merrnin pjesë 26 vende?”, raportohet të ketë thënë kryeministri spanjoll.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende se kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Samiti BRDO i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi të mërkurën se Kosova nuk do t’i ketë sytë kah Rusia e Kina përkundër vonesave nga Bashkimi Evropian për integrim.

Këtë deklaratë e ka bërë pasi ka arritur në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Brdo të Sllovenisë. Kurti duke folur para gazetarëve, u pyet nga këta të fundit “a është kthimi kah Rusia ose Kina opsion për Kosovën”.

“Natyrisht që jo. Ne asnjëherë nuk e kemi marrë as edhe një vaksinë të vetme nga Rusia ose Kina. BE-ja është fati jonë dhe Evropa është kontinenti jonë”, tha lideri kosovar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur para mediave në Slloveni

Ai tutje bëri thirrje për liberalizim të vizave për kosovarët, ndërsa vonesën e këtij procesi e cilësoi “padrejtësi të madhe të institucioneve evropiane”.

“Kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur Komisioni Evropian rekomandoi për të dytën herë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

“Ka qenë një padrejtësi e madhe, mungesë e drejtësisë karshi qytetarëve tanë që kanë vuajtur shumë”, u shpreh shefi i qeverisë”.

Lexo edhe:
BE-ja e ka vendosur Ballkanin Perëndimor “në dhomë të pritjes”

Kurti bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe liderët e Bashkimit Evropian pritet të nënshkruajë ndonjë marrëveshje midis BE-së dhe këtij rajoni të Ballkanit.

Në këtë samit për herë të parë një kryeministër i Spanjës, Pedro Sanchez, do të ulet në tavolinë me kryeministrin kosovar meqë për dallim nga hera e kaluar kur në krye të ekzekutivit spanjoll ishte Mariano Rajoy, Spanja ishte larguar nga samiti për shkak të Kosovës në Sofje të vitit 2018./SHQIP.com