Lajme

Hapet pika e re kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë

Xhelal Sveçla dhe Bledar Çuçi

Është hapur pika e re e kalimit kufitar në Krushevë-Shishtavec mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu ka bërë të ditur, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledar Çuçi kanë bërë hapjen e kësaj pike.

“Pika e përbashkët e kalimit kufitar do të jetë e hapur 24/7, në shërbim të qytetarëve, mjeteve dhe bartjen e mallrave jo-komerciale. Ajo do të mundësojë lëvizjen e qytetarëve të shteteve të treta, do të rrisë ekonominë e vendeve tona e do të zhvillojë turizmin në malet e bukura të Sharrit”, ka shkruar Sveçla.

Ministri kosovar ka bërë të ditur se me ministrin nga Shqipëria, kanë biseduar për marrëveshje të reja, për të lehtësuar kështu jetën e qytetarëve tanë në të dyja anët e kufirit.

“Me vullnetin tonë të plotë dhe përkushtimin e ekipeve tona teknike, shumë shpejt do të finalizohet edhe marrëveshja për banorët e brezit kufitar”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se çdo iniciativë për të eliminuar barrierat që mund të hasin shqiptarët do të ketë angazhimin e tyre maksimal.

“Çdo sfidë që mund të hasë Shqipëria, në krah e ka gjithmonë Kosovën. Bashkë ndajmë historinë, sfidat e krenarinë”, ka deklaruar Sveçla.

Hapja e këtij kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive dhe është marrëveshja e dytë nga tri sosh që po fillon së zbatuari./Shqip.com