Lajme

Hapet aplikimi për shtesa prej 100 eurove për studentët

Kartëmonedha 100 euro

Në platformën e-Kosova është hapur aplikimi për studentët për subvencionimin me 100 euro nga Qeveria e Kosovës.

Përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Qeveria e Kosovës ofron mbështetje për të gjithë studentët aktivë të vitit akademik 2021-2022, me një shumë të njëhershme prej 100 euro.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se aplikimi është i hapur për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullte.

“Aplikimi është i hapur për të gjithë studentët aktivë dhe të rregulltë të cilët ndjekin studimet në ndonjërin prej institucioneve të akredituara publike apo private të arsimit të lartë në Kosovë. Aplikimi për mbështetje bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale”, thuhet në njoftim.

Aplikimi për studentë të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës në kët vegzë.

Aplikimi për studentë të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës në këtë vegzë.

Përfitues të këtij subvencioni janë rreth 80 mijë studentë të cilët po kryejnë studimet në universitete publike dhe private.

Deri tani, këto shtesa i kanë marrë vetëm pensionistët.

Ndërsa, aplikimi për punëtorët e sektorit privat për 100 euro shtesë do të jetë i hapur deri më 20 maj 2022. Aplikimi për mbështetje mund ta bëni duke plotësuar formularin me të dhënat personale të të punësuarit në këtë vegzë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, punëtorët e sektorit publik pritet t’i marrin shtesat me pagën e prillit.

Kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, ka thënë se me nga 100 euro si masë e njëhershme do të ndihmohen familjet me asistencë sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe studentët.

Sipas Kurtit, vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro.

Nga kjo pako do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë./Shqip.com