Lajme Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në intervistën për Shqip.com, ka folur për zgjedhjet e brendshme të partisë, për situatën me energjinë dhe strategjinë e qeverisë për këtë sektor dhe për videot e publikuara nga LVV

Intervistë me Haki Abazin: Kusari-Lila, vazhdimësi e së kaluarës, si paraqitje, si mendësi e si botëkuptim

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi

Ishte 20 gushti i vitit 2019 kur Haki Abazi vendosi ta lë shoqërinë civile dhe t’i përkushtohet politikës, duke iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Në Qeverinë Kurti 1, ai mori pozitën e zëvendës-kryeministrit, derisa në Kurti 2, vetëm deputet.

Abazi që njihet si një prej deputetëve që ka mbrojtur qëndrimet e LVV-së, kohëve të fundit ka hedhur kritika në drejtim të partisë që sot ka pushtetin.

“Menjëherë pas luftës, na ka ndodh një mish-mash i paraqitjeve që janë tentu mu kristalizu në parti të majta, parti të djathta, parti të qendrës, dhe unë mendoj që jemi në këtë evolucionin politik, ku shpeshherë lidershipi e ka të qartë pozicionin, por jo domosdoshmërisht shtresat e anëtarësisë në terren. Dhe unë, mendoj që pjesë të kësaj përbërje edhe Lëvizja Vetëvendosje ku kemi zhvendosje të anëtarësisë e aktiviostëve nga një pikë në pikën tjetër.

Në mendimin tim është që ka pas mundësi që kësaj radhe me këtë rritje të bëhet një organizim pak më i gjatë e debat më i shtrirë, ku prej rolit të aktivizmit politik që është shumë i rëndësishëm dhe domosdoshmërisht është tregu si formë e suksesshme për me ardh në pushtet, të bëhet profilizimi i sa më shumë sektorial brenda partive politike në këtë raste Vetëvendosjes në nivel të komunave, ku intelektualët edhe ekspertët e fushave nëse nuk duan të kenë afilim politik me partinë, së paku të gjejnë formën për të kanalizuar imputet e tyre në çështjet komunale, nacionale dhe nuk e mendoj që është arritur gjithë përfshirja pjesërisht për shkak të kohës së shkurtë dhe për shkak se njerëzit përdorin formën e përjashtimit për shkak se konsiderojnë se janë më legjitim e më meritor për atë se çfarë ka ndodhur në nivel të komunave”, thotë Abazi në intervistën për Shqip.com, derisa flet në pika të shkurta për procesin e brendshëm zgjedhor.

Kohëve të fundit Abazi ka vendosur që të dal i vetëm në konferenca dhe të adresojë kritika për mënyrën se si po funksionon partia të cilës i përket.

Kritika të mëdha, ai ka dhënë për Mimoza Kusari-Lilën, për të cilën vazhdon t’i qëndrojë prapa vlerësimit se nuk është personi i duhur për të udhëhequr Grupin Parlamentar të VV-së.

Për këtë ka disa arsye.

“Unë kam bërë 1 vit e gjysmë pritje, përkundër faktit që nuk ka votuar për kryetar të grupit. Motoja jonë në zgjedhje ka qenë ndryshimi fondamental. Kryetarja e grupit, është vazhdimësi e së kaluarës edhe si paraqitje, edhe si mendësi edhe si botëkuptim. Për këtë 51% të Vetëvendosjes, figurat kryesore duhet të jenë njerëzit që të kaluarën e kanë të pastër, aq më tepër që ajo ka një aktakuzë për Hidrocentralet”, shton Abazi, derisa heziton të jap një emër se kush do të duhej ta udhëhiqte Grupin Parlamentar, ndonëse kohë pas kohe është folur për një garë mes Kusari-Lilës dhe deputetit Armend Muja.

Po ashtu sipas Abazit, Kusari-Lila duhet të ftohet për intervistim në Komisionin Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.

“Secili aktor politik i asaj kohe që ka pasur të bëjë me orientimin e gabuar në procesin e privatizimit të distribucionit, duhet të ftohet në intervistim. Sa i përket komisionit, kur opozita ka kërkuar krijimin e komisionit unë kam propozuar që të bëhen dy komisione. Debati brenda grupit ka qenë në përkrahje të propozimit dhe në momentin e fundit Kusari-Lila e ka mbivendosur Armend Mujën para meje”, thotë Abazi për Shqip.com.

Ai ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë për projekt-strategjinë për energjinë.

“Është një strategji e njëjtë sikurse ajo e 20 viteve të fundit që kanë mbetur në letër dhe të vdekura. Problemi ynë është problem termik e jo elektrik, sepse gjatë verës, kemi suficit të energjisë, ndërsa gjatë dimrit kur njerëzit tentojnë të ngrohen me rrymë kemi problem të madh. Kam kërkuar që strategjia të jetë gjithëpërfshirëse për energjinë, ku energjia duhet të përfshijë edhe transportin edhe efiçencën” thotë Abazi.

Po ashtu Abazi përmend disa faktor që po ndikojnë në situatën energjetike në vend.

“Ne kemi shtretër për trajtimin e njerëzve që sëmuren nga ndotja e mjedisit. Mbi 200 milionë euro në vit janë kosto e qytetarëve për t’u shëruar jashtë vendit, në rrethin e Prishtinës është numri më i madh i njerëzve që vuajnë nga sëmundjet respiratorë. Fakti që nuk jemi të gatshëm të dizajnojë program për efiçencë, të krijojmë panele solare, tregon që drejtimi jonë është i gabuar me strategjinë”.

Para pak ditësh Komisioni Evropian, publikoi raportin për Kosovën, në atë raport pati kritika për gjendjen në shumë sektorë.

Por, Abazi thotë se përkundër kritikave ka progres në krahasim me raportet e viteve të kaluara.

“Edhe ky raport ka shumë gjëra të mira që na i hapë sytë për aty ku ka ngecje. Mendoj që raporti tregon saktë që ka mungesë të strategjisë për energjinë, sa i përket punë në parlament duhet të ketë një planifikim të përgjithshëm që do përjashtonte përplasjen pozitë-opozitë”.

Abazi shpreson që më 9 nëntor, të ketë ndonjë ndryshim në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në ditën kur u vendos kushti teknik, për Kosovën që mund të zgjatë deri në fund të vitit 2023, unë kisha dashur t’i shoh 10 mijë qytetarë në shesh duke protestuar e duke kërkuar të drejtën e tyre”, thotë Abazi, për Shqip.com.

Në dy javët e fundit, Vetëvendosje ka qenë shumë e angazhuar në rrjetet sociale, duke publikuar video që tregojnë qeverisjen sipas saj të Kosovës në periudhën 20 vjeçare. Për shumëkë, ky veprim është parë sikur kjo parti nuk po arrin të mësohet me të qenit në krye të institucioneve.

Por, Abazi kërkon që fokusi të drejtohet më shumë tek gjendja në të cilën ndodhet Kosova.

“Nuk i kisha komentuar këto video. Nuk besojë që janë pjesa kryesore e debatit shoqëror ku duhet të fokusohemi”, thotë Abazi.

Kosovën gjatë këtyre ditëve e vizituan edhe një delegacion për politikë të jashtme i Portugalisë. Abazi thotë se marrëdhëniet Kosovë-Portugali janë shumë të mira dhe në këtë takim është diskutuar mundësia që Portugali të ndikojnë në vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës.

Abazi në konferencën e fundit për media ka tejkaluar kufijtë e vendit, duke e akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se është pjesë e rrjetit politik kriminal dhe se fjalimi i tij në Këshillin e Evropës e ka dëmtuar Kosovën.

“Këtu në Ballkan ekzistojnë rrjete të fuqishme kriminale, të cilat janë përfitues të kapitalit të luftës gjatë viteve të 90-ta. Ky rrjet e mban në duar një grup të politikanëve në Ballkan që nuk e duan përshpejtim të proceseve integruese”.

Një pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes vazhdojnë të jenë të barrikaduar për të mos votuar versionin aktual të Kodit Civil, i cili është paralajmëruar se do të vij së shpejti sërish në Kuvend.

“Qartë!. Kodi Civil duhet të kalojë, unë kam votuar pro”, ka thënë Abazi.

Abazi thotë se pavarësisht kritikave për partinë, raportet me kryeministrin Kurti mbetet të mira, ani se ka edhe diskutime e mospajtime për çështje të ndryshme.

Por, Abazi nuk pranon të jap një vendim final nëse në zgjedhjet e ardhshme do të garojë përsëri për pozitën e deputetit.

/Shqip.com