Lajme Botë

Bjellorusia i fillon stërvitjet bërthamore

Një raketë ruse, Iskander-K, shkrepet gjatë një stërvitjeje ushtarake në një qendër stërvitore në Rusi më 2022.
Një raketë ruse, Iskander-K, shkrepet gjatë një stërvitjeje ushtarake në një qendër stërvitore në Rusi më 2022.

Bjellorusia i ka filluar të martën stërvitjet ushtarake me raketat dhe avionët luftarakë që janë në gjendje të bartin armë taktike bërthamore, të cilat aleatja e saj e ngushtë, Rusia, i zhvendosi atje kohë më parë.

Ushtrimet ushtarake të Bjellorusisë filluan vetëm një ditë pasi Rusia njoftoi se synon të kryejë stërvitje të ngjashme për simulimin e përdorimit të armëve bërthamore të fushëbetejës, si përgjigje ndaj deklaratave të zyrtarëve perëndimorë, për të cilat thotë se janë shenjë se Perëndimi mund të përfshihet më shumë në luftën në Ukrainë.

Kjo ishte hera e parë që Moska ka njoftuar publikisht për një ushtrim të tillë.

Ministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë, Viktor Khrenin, tha se një njësit i raketave me rreze të mesme veprimi, Iskander, dhe një skuadrilje e avionëve luftarakë, Su-25, do të marrin pjesë në stërvitje.

Këto stërvitje nisën gjithashtu në ditën kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e bëri betimin për mandatin e tij të pestë të martën, duke u zotuar për garantimin e sigurisë së Rusisë.

Vitin e kaluar, Rusia i zhvendosi disa armë të veta taktike bërthamore në Bjellorusi, e cila kufizohet gjithashtu edhe me Ukrainën dhe anëtaret e NATO-s, Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, mbështetet në lidhjet e ngushta me Rusisë dhe e ka ofrur vendin e vet si terren strategjik për luftën në Ukrainë.

Moska ka nënvizuar se armët taktike bërthamore të zhvendosura në Bjellorusi mbesin nën kontrollin ushtarak të Rusisë.

Zhvendosja e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, e cila ndan një vijë kufitare prej 1.084 kilometrash me Ukrainën, do t’ia mundësonte raketave dhe avionëve luftarakë rusë ta arrijnë cakun e tyre të mundshëm atje me më shumë lehtësi dhe shpejtësi, nëse Moska vendos t’i përdorë ato.

Gjithashtu ia mundëson Rusisë t’i godasë më lehtë disa aleatë të NATO-s në Evropën Lindore dhe atë Qendrore.

Për dallim nga raketat interkontinentale balistike bërthamore, të cilat mund të shkatërrojnë qytete të tëra, armët taktike bërthamore, të dizajnuara për t’u përdorur kundër trupave në fushëbeteja, janë më pak të fuqishme. /REL

/Shqip.com