Lajme

Gjykata në Prishtinë cakton një muaj paraburgim ndaj katër personave për ryshfet, dy prej tyre zyrtarë të MPB-së dhe MPJD-së

Gjykata Themelore Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj katër të pandehurve, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, njofton Shqip.com.

Sipas njoftimit të Gjykatës, dy të pandehurit, B.G., dhe A.F., dyshohet se kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.

Ndërkaq, i pandehuri H.H dyshohet se ka kryer veprën penale “pranim i ryshfetit”, kurse i pandehuri J.H., dyshohet se ka kryer veprat penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “dhënie e ryshfetit”.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurve B.G., A.F., H.H., J.H. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç. Të pandehurve B.G., A.F., H.H., J.H. paraburgimi iu  caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafët 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, bëhet e  ditur se kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Shqip.com