Lajme

Gjykata kërkon nga Mehmeti plotësimin e padisë lidhur me zgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së

Guvernatori aktual i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka ngritur padi lidhur me garën për përzgjedhjen e Guvernatorit të ri të BQK-së në të cilën ai synon edhe një mandat.

Mehmeti pretendon se është diskriminuar në këtë garë.

Krahas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Mehmeti që ta plotësojë padinë e tij lidhur me këtë çështje.

Më 10 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Mehmeti plotësimin e padisë.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata ka kërkuar nga Mehmeti që në padi të përcaktojë qartë objektin e kontestit, kërkesën në pikëpamje të çështjes kryesore dhe kërkesave eventuale aksesore, bazën juridike, përkatësisht petitumin e padisë/propozimit, raporton Betimi për Drejtësi.

Në aktvendim thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, me vendimin e 15 shkurtit 2023 është shpallur jokompetente në pikëpamje lëndore.

Ndërkaq, kundër këtij vendimi Mehmeti ka parashtruar ankesë, të cilën Gjykata e Apelit më 2 mars 2023 e ka refuzuar si të pabazuar duke e vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

Sipas aktvendimit, lënda me të gjitha shkresat është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Divizionin Civil.

Çështja e zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ka mbetur e bllokuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Raportimi i panelit intervistues, në këtë rast Bordit të BQK-së, nxori në pah një varg problemesh, por edhe akuza nga deputetët për shumë shkelje.

Madje deputetja Duda Balje vazhdon të insistoj që Bordi ka bërë edhe shkelje të Kushtetutës në këtë rast.

Komisioni ka kërkuar interpretim ligjor nga zyra ligjore e Kuvendit, pastaj një numër përgjigjesh nga paneli intervistues.

Ndërkohë, siç merr vesh Shqip.com, në adresë të anëtarëve të këtij komisioni, guvernatori aktual Fehmi Mehmeti ka dërguar fakte për shkeljet që janë bërë në këtë proces.

Lexo edhe:
Zgjedhja e Guvernatorit, Kuvendi pa vendim, opozita kritika pushtetit

Ndërkohë, këtë javë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka mbajtur dy herë takime, por në asnjë prej tyre nuk ka futur në diskutim.

Zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni që vjen nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë për Shqip.com se në takimet e kësaj jave tema rreth përzgjedhjes së guvernatorit të BQK-së, nuk është futur në rend dite.

“Nuk e kemi pas në rend të ditës, por e kemi ngrit si çështje pse nuk janë përgjigjet akoma. Besoj tash pas marrjes së përgjigjeve, do duhej të kemi mbledhje me pikë të veçantë”, ka thënë Lushtaku.

Nga ana tjetër, Kuvendi nuk ka dhënë ende ndonjë njoftim nëse gjatë kësaj jave do të mbahet mbledhja e këtij komisioni.

Ndërkohë, guvernatori aktual ka mandat deri më 29 mars dhe Kuvendi duhet të vendos më herët për pasuesin e tij.

Kurse, në Ligjin për BQK-në, parashihet që në mungesë të Guvernatorit, këtë post do ta ushtroj përkohësisht Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore.

Në garë për postin e të parit të BQK-së janë katër kandidatë të përzgjedhur nga paneli: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli dhe Shkendije Himaj. Mirëpo, guvernatori aktual është ankuar se ai kishte po të njëjtat pikë siç kishte kandidati i katërt.

/Shqip.com