Lajme

Zgjedhja e Guvernatorit, Kuvendi pa vendim, opozita kritika pushtetit

Banka Qendrore e Kosovës
Banka Qendrore e Kosovës

Çështja e zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ka mbetur e bllokuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Raportimi i panelit intervistues, në këtë rast Bordit të BQK-së, nxori në pah një varg problemesh, por edhe akuza nga deputetët për shumë shkelje.

Madje deputetja Duda Balje vazhdon të insistoj që Bordi ka bërë edhe shkelje të Kushtetutës në këtë rast.

Komisioni ka kërkuar interpretim ligjor nga zyra ligjore e Kuvendit, pastaj një numër përgjigjesh nga paneli intervistues.

Ndërkohë, siç merr vesh Shqip.com, në adresë të anëtarëve të këtij komisioni, guvernatori aktual Fehmi Mehmeti ka dërguar fakte për shkeljet që janë bërë në këtë proces.

Ndërkohë, këtë javë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka mbajtur dy herë takime, por në asnjë prej tyre nuk ka futur në diskutim.

Zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni që vjen nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë për Shqip.com se në takimet e kësaj jave tema rreth përzgjedhjes së guvernatorit të BQK-së, nuk është futur në rend dite.

“Nuk e kemi pas në rend të ditës, por e kemi ngrit si çështje pse nuk janë përgjigjet akoma. Besoj tash pas marrjes së përgjigjeve, do duhej të kemi mbledhje me pikë të veçantë”, ka thënë Lushtaku.

Nga ana tjetër, Kuvendi nuk ka dhënë ende ndonjë njoftim nëse gjatë kësaj jave do të mbahet mbledhja e këtij komisioni.

Ndërkohë, guvernatori aktual ka mandat deri më 29 mars dhe Kuvendi duhet të vendos më herët për pasuesin e tij.

Kurse, në Ligjin për BQK-në, parashihet që në mungesë të Guvernatorit, këtë post do ta ushtroj përkohësisht Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore.

Në garë për postin e të parit të BQK-së janë katër kandidatë të përzgjedhur nga paneli: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli dhe Shkendije Himaj. Mirëpo, guvernatori aktual është ankuar se ai kishte po të njëjtat pikë siç kishte kandidati i katërt.

/Shqip.com