Lajme Ballkan

Gjuriq: Sot të gjithë e dinë se serbët janë viktima

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq
Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq

“Sot të gjithë e dinë se serbët janë viktima”.

Kështu mendon ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, pasi të shtunën kryeministrja e këitj shteti Ana Brnabić në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – informoi shtetet anëtare për situatën në Veriun e Kosovës.

“Ekipi serb i udhëhequr nga kryeministrja Brnabiq, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Selakoviq, shfrytëzuan rastin në OKB për të njohur të gjithë komunitetin ndërkombëtar me zhvillimet e fundit dhe mund të them që sot të gjithë e dinë se serbët janë viktima”, ka thënë Gjuriq, raporton Tanjug.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić

Në gjuhën e politikanëve serbë, ata janë “viktimat”, praktika po jep të tjera shenja.

Të shtunën, helikopterët serbë qarkulluan në afërsi të pikës kufitare në Jarinje.

Po atë ditë është sulmuar me granata edhe Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok.

Madje, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po të mos ishin Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak “do të kishte incidente edhe në pikat kufitare”.

Lexo edhe:
Qeveria tregon se çfarë u diskutua në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Ndërkaq, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se duhet të qetësohet situata në Veriun e Kosovës dhe të vazhdojë dialogu.

Kjo sipas tij nënkupton që “Vuçiqi ta largojë arsenalin ushtarak nga kufiri afër Kosovës”, ndërsa Kurti “t’i largojë Njësitet Speciale”.

Këto Njësite Speciale në Veriun e Kosovën gjenden që nga 20 shtatori.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës në Veriun e Kosovës.

Zbatimi i reciprocitetit të targave është misioni i tyre, vendim qeveritar i kundërshtuar nga serbët lokalë.

Ata pos me prezencën fizike edhe përmes kamionëve kanë bllokuar rrugët kryesore. /Shqip.com