Gjuhëtari dhe diplomati Gjergj Pekmezi do të prehet në vendlindje
Pas 84 vjetësh trupi i gjuhëtarit dhe diplomatit Gjergj Pekmezit do të prehet në vendlindje. Kjo vije pas një bashkëpunimi relativisht të gjatë midis Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë dhe personalisht të Ambasadorit Roland Bimo me bashkinë e qytetit, më në fund eshtrat e gjuhëtarit, etnologut, profesorit, bibliografit, diplomatit dhe përkthyesit Gjergj Pekmezi do të prehen në vendlindjen e tij në Pogradec.
Homazhet do të zhvillohen në mjediset e Akademisë së Shkencave më 19 nëntor 2022, në orën 10:00-12:00, raporton Balkanweb.
Përveç ambasadorit Bimo, për realizimin e këtij qëllimi kanë bashkëpunuar edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe bashkia e qytetit të Pogradecit.
Disa nga veprat kryesore të Gjergj Pekmezit janë:
1. “Vorläufiger Bericht über das Studium des albanesischen Dialekts von Elbasan” (“Raport provizor për studimin e të folmes së Elbasanit”), 1901;
2. “Grammatik der albanesischen Sprache” (“Gramatikë e gjuhës shqipe”), hartuar në bashkëpunim me albanologun Raiko Nachtigal, 1908;
3. “Bibliographija shqype” (“Albanesische Bibliographie”), 1909;
4. “Sprachführer zur schnellen Erlernung der albanischen Sprache” (“Manual për të nxënë shpejt gjuhën shqipe”), 1913;
5. “Lehr und Lesebuch des Albanischen” (“Doracak dhe këndonjës i shqipes”), në bashkëpunim me albanologun Maximilian Lambertz, 1913;
Gjergj Pekmezi është i pari dijetar që transliteroi me alfabet latin “Bletën shqiptare” të Th. Mitkos (1924).
/Shqip.com