Lajme

Gjashtë prokurorë synojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Gjashtë prokurorë kanë aplikuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK-ja njofton se afati 15 ditorë për aplikim në këtë pozitë ka përfunduar këtë të premte.

“Të drejtën për aplikim e kanë shfrytëzuar 6 prokurorë, të cilët kanë dorëzuar aplikacionet brenda afatit të përcaktuar me konkursin e lartcekur”, thuhet në komunikatën për media.

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Prokurorët që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit; Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Sa i përket numrit të saktë të prokurorëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit duhet pritur aplikacionet e tjera eventuale, të cilat mund të pranohen përmes Postës”, thuhet në komunikatë.

“Lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka bërë ftesë zyrtare partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile që përcjellin aktivitetet e sistemit prokurorial për të monitoruar procesin”.

Ndërsa për të martën, më 8 shkurt 2022, KPK-ja i ka ftuar për të monitoruar hapjen e të gjitha aplikacioneve të prokurorëve që kanë aplikuar për këtë pozitë”./SHQIP.com