Lajme

Gërvalla për shkarkimin e ambasadorëve: S’kishim asgjë personale me asnjërin

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla –Schwarz, deklaroi të premten se vendimi për shkarkimin e 12 ambasadorëve të Kosovës, ishte akt në mesin e reformave të kësaj ministrie.

Sipas saj, MPJD-ja nuk ka pasur asgjë personale me asnjërin, por ka shtuar se “funksioni i tillë i ambasadorëve ishte i jashtëligjshëm”.

“Janë shkarkuar 12 ambasadorët politikë, sepse kanë qenë në disproporcion me ligjin tonë. Janë shkarkuar të gjithë për një herë, sepse në momentin që ke tejkaluar kuotën ligjore, atëherë i ke të gjithë të jashtëligjshëm”.

“Pra, 12 ambasadorët politikë sepse kemi konsideruar se është shkelur ligji i shërbimit të jashtëm politik. Në ndërkohë është bërë përzgjedhja e ambasadorëve”, ka thënë Gërvalla në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Ndërsa, ka shtuar se të gjithë ish-ambasadorët janë lajmëruar paraprakisht para se të liroheshin nga detyra.

”Ata janë lajmëruar të gjithë, të gjithëve iu është lënë koha më 30 gusht, përveç ambasadorit Gjergj Dedaj i cili është larguar më herët”.

Rreth dy javë më parë, ministrja Gërvalla është shprehur se emërimi i ambasadorëve të rinj në 12 shtete ku Kosova momentalisht nuk ka ambasadorë është në fazën e fundit./SHQIP.com