Gërvalla : Orientimi ynë kryesor është BE-ja dhe NATO-ja
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po merr pjesë në forumin e Prespës që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në Forumin e Prespës që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, Gërvalla ka thënë se nëse BE-ja dëshiron më shumë siguri, duhet të bëjë hapin për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor brenda saj.
“Shumica prej neve në Ballkanin Perëndimor kemi treguar se orientimi jonë është pro evropian, pro NATO dhe pro perëndimor. Prandaj, ky orientim duhet të jetë kryesor, të mbahet dhe lejohet që të rrjedhë deri te integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Siguria nuk është vetëm për armët, por gjithë aspektet që ballafaqohemi çdo ditë…Nëse BE-ja është e interesuar të kemi më shumë siguri, atëherë duhet që të bëjnë hapin që të kyçin Ballkanin Perëndimor në BE”, ka theksuar ajo.
Po ashtu Gërvalla është shprehur se institucionet e Kosovës po bëjnë çmos që të afrohen në strukturat e NATO-s.
“Kosova mundohet të afrohet në strukturën e NATO-s aq sa mundemi, duke marrë faktin se katër shtete anëtare të NATO-s nuk na njohin. Kjo nuk është e lehtë, por ne duhet të luftojmë dhe jemi më afër njëri-tjetrit, pasi Kosova dhe NATO janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin. Në mënyrë që NATO është pjesë e historisë së Kosovës dhe është prezentë në Kosovë”.
Pos Gërvallës në këtë forum po merrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./Shqip.com