Lajme

Gërvalla: Edi Rama shpesh pas asnjë nevojë po bëhet avokat i Vuçiqit

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwartz thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po e luan rolin e avokatit të presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Ajo tha se Rama duke u bërë avokat i Vuçiqit i ndihmon këtij të fundit që të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e vërtetë që kemi divergjenca sa i përket “Ballkanit të hapur”. Kemi divergjenca edhe në raport me atë se si kryeministri shpesh pa asnjë nevojë, bëhet avokati kryesor i (Aleksander) Vuçiçit në vende dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare duke i ndihmuar Vuçiçit të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, për të qenë shumë e sinqertë, mendoj që asnjëherë më parë marrëveshjet konkrete që kemi me Shqipërinë, nuk kanë qenë të implementuara me një shpejtësi të tillë si deri tani dhe nuk kanë qenë më tepër në kuptimin e asaj që t’u shërbejnë qytetarëve në të dyja anët e kufirit edhe në Shqipëri edhe në Kosovë”, tha Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Lexo edhe:
Kuvendi i Shqipërisë voton kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

Reagimi i Gërvalles erdhi, pasi në media u raportua se në forume ndërkombëtare, Edi Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sillen sikur të ishin nga dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.

Megjithkëtë, Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës ishte pyetur për marrëdhëniet e krisura mes dy palëve.

Osmani kishte pranuar se nuk gëzon marrëdhënie të shëndosha me Ramën për të cilat kishte thënë se janë të natyrës zyrtare.

“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me presidentin (Bajram) Begaj…..po e them që raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete janë të rëndësishme dhe jo raportet mes politikanëve individualë. Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve”, ishte shprehur Osmani.

Ajo kishte shtuar se nuk e pranon faktin që Shqipëria e arsyeton vendimin e Serbisë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviçit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Liderët e Ballkanit Perëndirmor në New York

Theksojmë se gjatë qëndrimit në Nju Jork, si pjesëmarrës të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, Osmanit e Ramës u ra të shihen në takimin që e organizoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në pamjet që i publikoi kryeministri në largim i Malit të Zi Dritan Abazoviq, Rama e Osmani nuk u panë duke i shtrënguar duart./Shqip.com