Lajme

Gazeta gjermane: Serbia e kërcënon Kosovën me luftë

Policia e Kosovës.

Gazeta gjermane “Bild” të hënën i ka kushtuar një artikull situatës së krijuar në Veri të Kosovës, pas vendimit për reciprocitetin e targave të veturave nga Serbia.

Sipas këtij mediumi, mosmarrëveshja mbi targat mes dy vendeve mund të shndërrohet në një konflikt të ri të armatosur midis aleatëve të Rusisë në Beograd dhe qeverisë së mbrojtur nga NATO në Prishtinë brenda pak orësh.

“Të dielën në mbrëmje, Serbia vuri në gatishmëri pjesë të ushtrisë së saj. Arsyeja e tensioneve: Që nga mesi i shtatorit, vizitorëve serbë në kufirin me Kosovën u është dashur të ndërrojnë targat e tyre me targa të përkohshme kosovare në mënyrë që të shkojnë në Kosovë”, shkruan “Bild”.

Lexo edhe:
Për një javë aministrohen mbi 10 mijë targa të përkohshme në Kosovë

“Qeveria në Prishtinë reagoi me rregulloren për faktin se Serbia nga ana e saj nuk i njeh targat e futura nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë më 2008”, thuhet më tej në artikull.

Një qytetar duke i zëvendësuar tabelat e përkohshme të Serbisë me ato të Kosovës

Por, “Bild” shkruan se serbët që jetojnë në Kosovë po refuzojnë të ndërrojnë targat e tyre. Si rezultat, Qeveria e Kosovës dërgoi një njësi speciale të policisë në vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak një javë më parë për të zbatuar rregulloren e targave./SHQIP.com