Ekonomi Biznes

Gastronomët kërkojnë largimin e TVSH-së, paralajmërojnë rritje të çmimeve dhe protesta

Ilustrim

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka paralajmëruar rritje të çmimeve dhe protesta në rast se kërkesa e tyre për heqjen e TVSH-së nuk miratohet.

Kështu ka bërë të ditur Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, në një intervistë për Ekonomia Online.

“Kemi kërkuar që të largohet TVSH-ja. Ka ulje të aftësisë blerëse të qytetarëve. Ka 40 për qind ulje të konsumit. Ka rritje të inflacionit, rritje të çmimeve. Bizneset gjenden në një situatë ku duhet ta ruajnë konsumatorin”.

“Në anën tjetër duhet ta ruajnë përparësinë e të qenit formal. Nuk përjashtohen protestat. Ora policore krijon stres të panevojshëm për personat që qarkullojnë edhe gastronomia punon më pak”.

Vranica mes tjerash ka propozuar që të merren për bazë modelet e vendeve të tjera. Gastronomëve tha se ju duket e pakuptimtë që “qytetarët e Kosovës të mbyllen kur vendet tjera po hapen”.

“Thjesht t’i shohim referencat e vendeve të tjera të cilat po menaxhojnë me pandemi. Ne edhe më pak kemi arsye të mbajmë kufizime të tilla kur e dimë edhe mbështetjen e dobët që kemi pasur ndaj bizneseve të gastronomisë”.

“Tek ne është evidente që qeveria e ka marrë aprovimin për ringjallje ekonomike. Andaj kjo masë nuk është zbatuar asnjëherë. Të mbahemi të mbyllur kur kemi aprovim të ringjalljes dhe kur krejt bota po hapet nuk ka kuptim. Duhet me qenë më afër me sektorin privat”.

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vrainca

Nga 1 janari i vitit 2022, furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që i bie 18 për qind.

Norma e reduktuar e TVSH-së prej tetë për qind e përcaktuar me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ishte e vlefshme vetëm deri më 31 dhjetor./SHQIP.com