Gashiq e lumtur për vendimin e gjykatës: Zoti është në anën time

Shtetasja serbe e rikthyer në Gjakovë, Dragica Gashiq, i është gëzuar vendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila hodhi poshtë padinë ndaj saj për masë të përkohshme, transmeton Shqip.com.
Ajo është shprehur e lumtur që ka fituar rastin për të jetuar në shtëpinë e saj, raporton Kosovo-online.
“Jam fort e lumtur, Zoti është në anën time. E di që drejtësia është në anën time. Banesa është pronë e imja dhe me dokumentacion jam në rregull”, është shprehur ajo.
Gashiq shtoi se nuk e ka kuptuar se pse në Gjakovë po protestohej kundër saj.
“U dëshmua e vërteta dhe drejtësia dhe i falënderoj avokatët e angazhuar nga Zyra për Kosovë dhe drejtori Petar Petkoviq. Jam falënderuese ndaj tyre për mbështetjen dhe kujdesin njerëzor, që i nevojitet çdo personi”.
“Tani besoj se komuna do të më lejoj ta rregulloj apartamentin”.
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Komunës së Gjakovës, për caktimin e masës së sigurimit, me të cilin ka kërkuar që t’i ndalohet shtetases serbe, Dragica Gashiq, që personalisht të qëndroi – shfrytëzoi apo banoi në banesën e saj në Gjakovë.
“Gjykata pas analizimit dhe vlerësimit të provave ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së sigurimit në këtë fazë të procedurës është i pa bazuar dhe jo i nevojshëm”, thuhet në njoftimin për media të gjykatës. /Shqip.com