Lajme

Komuna e Gjakovës padit Dragica Gashiqin

Dragica Gashiq

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë.

Vendimin për dhënien e banesës Dragica Gashiqit, më 1997, në kohën e pushtetit serb, e kishte marrë Kuvendi i atëhershëm Komunal i Gjakovës. Banesa i ishte dhënë me qira, për një periudhë të pacaktuar kohore, thuhet në kontratën e publikuar nga subjekti politik, Alternativa i Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e ekzekutivit.

Zëdhënësi i gjykatës, Lekë Muqaj ka konfirmuar se paditësja, Komuna e Gjakovës, në këtë gjykatë ka parashtruar padi kundër D.G., me adresë të panjohur, duke kërkuar që të paditurës t’i caktohet përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që të njëjtës nuk i dihet vendbanimi.

“Gjykata Themelore në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim duke e detyruar paditësen, Komunën e Gjakovës, që në emër të paradhënies për shpenzimet e përfaqësuesit të përkohshëm, brenda afatit prej tri ditëve, të deponojë në arkën e kësaj gjykate, shumën e të hollave në lartësi prej 1.000 euro, nën kërcënimin e pasojave ligjore”, ka deklaruar Muqaj. Ai ka shtuar se pasi komuna të ketë përmbushur detyrimet e saja, gjykata do të zhvillojë procedurën kontestimore mes palëve.

Nga kabinet i kryetarit të Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini, nuk kanë dashur të komentojnë për këtë rast.

Gashiq largohet përkohësisht nga banesa

Dragica Gashiq ka lëshuar banesën e saj në Gjakovë më 30 qershor, sepse, siç thekson ajo, nuk ndihet e sigurt. Ajo u përpoq të ndryshonte derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësonte atë me një të blinduar, por policia nuk e lejoi ta bënte këtë, duke shpjeguar se ajo duhet të merrte një leje komunale për diçka të tillë.

Në një bisedë me REL-in më 6 korrik, ajo tha se po qëndronte te motra e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës. Gashiq shtoi se avokatët nga “Zyra e Ndihmës Ligjore Falas” e njoftuan atë më 6 korrik se Komuna të Gjakovës kishte filluar një procedurë penale kundër saj, duke pretenduar se banesa nuk është në pronësi të saj.

“Këta njerëz nga Gjakova më paditën, sikur të mos ishte banesa ime, kështu që ata duan ta marrin atë, dhe kështu, tani erdhi një avokat për të mbledhur provat që kam nga agjencioni (Agjencia e Kosovës për Krahasim dhe Verifikim të Pronës)”, tha Gashiq, pa specifikuar se për cilën zyrë të ndihmës ligjore bëhet fjalë.

Agjencia Kosovare e Pronave e liroi banesën e Dragica Gashiqit në Gjakovë, ku ajo u vendos më 9 qershor, me pretendimin se dëshira e saj për t’u kthyer në Kosovë ishte realizuar. Deri atë ditë, në këtë banesë kishte jetuar një familje shqiptare nga Kosova.

Agjencia Kosovare e Pronave tha se morën vendimin që t’ia kthejnë banesën Gashiqit, në bazë të dokumentacionit që ishte prezantuar dhe kjo agjenci shtoi se ka kërkuar nga Habitati që ta ndajë banesën e saj.

“Ajo ka një vendim nga ne (Agjencia Kosovare e Pronës) dhe nëse ajo dërgon një kërkesë për dëbim (e uzurpuesve), ne jemi të detyruar të dëbojmë këdo që është i paligjshëm atje”, tha kjo agjenci, që u themelua nga Kuvendi i Kosovës më 2016./SHQIP.com

Shqip.com
Çmimet e derivateve në Kosovë Çmimi maksimal i lejuar për secilin produkt të naftës.
  • Dizel: 1.60
  • Benzine: 1.33
  • Gas: 0.75
Sot : 27/09/2022