GAP: Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat e brendshme të energjisë elektrike

Instituti për Studime të Avancuara GAP, njofton se prodhimi i energjisë elektrike në vend nuk po mund t’i mbulojë kërkesat nga konsumatorët.
Sipas GAP-it, kërkesa për energji elektrike në Kosovë është më e lartë nga mesdita deri në mbrëmje. Pikërisht në këtë kohë Kosova nuk po arrin të përmbushë kërkesat.

“Javëve të fundit konsumi mesatar ditor i energjisë elektrike në Kosovë në orë është rreth 560 MWh, ndërsa prodhimi rreth 530 MWh. Kërkesa për energji elektrike në Kosovë është më e lartë nga mesdita deri në mbrëmje, dhe për shkak se TC Kosova B2 është në riparim të planifikuar nga java e dytë e muajit gusht, Kosova nuk po arrin të përmbushë kërkesat e brendshme të energjisë elektrike në këtë periudhë të ditës.”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se nga gushti në Kosovë, kanë filluar reduktimet e rrymës.
Sipas KEDS-it, reduktimet kanë ardhur si shkak i mungesës financiare dhe ngritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare./Shqip.com