Lajme

FSK-ja dhe Ushtria Amerikane nderojnë viktimat e 11 shtatorit

Marshimi i FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me Ushtrinë Amerikane kanë bërë një marshim të përbashkët në përkujtim dhe nderim të viktimave të 11 shtatorit, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se me kombin dhe Ushtrinë Amerikane do të ndajnë gjithmonë dhembjen dhe krenarinë.

Lexo edhe:
Kurti: Kur ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit, gardianët serbë u gëzuan

“Regjimenti i Parë i Këmbësorisë së FSK-së së bashku me Brigadën e 86-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane në marshim të përbashkët kondicional në përkujtim dhe nderim të viktimave të 11 Shtatorit 2001. Me kombin dhe ushtrinë amerikane do të ndajmë gjithmonë së bashku, edhe dhembjen edhe krenarinë! Sepse, Së bashku jemi më të fortë!”, ka shkruar Mehaj.

Sot, mbushen 20 vite që nga sulmet terroriste mbi “Kullat Binjake”, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

2 mijë e 977 njerëz kishin mbetur të vdekur, më 11 shtator 2001.

Sulmet ishin kryer nga organizata terroriste Al-Qaeda, të cilët kishin rrëmbyer disa aeroplanë për të nisur sulmet.

Në përkujtimin e kësaj dite, presidenti amerikan, Joe Biden, kërkoi unitet.

“Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minuta, orë, muaj dhe vite më pas”, ka thënë Biden, gjatë një mesazhi të publikuar, të premten./Shqip.com