Lajme

Kurti: Kur ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit, gardianët serbë u gëzuan

Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në burg.

“I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork”.

Në këtë mënyrë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përkujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit, sot kur mbushen 20 vjet që nga ajo kohë.

“Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.

Ai shtoi se Kosova bashkënjden me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se janë aleati historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës.

Sot, mbushen 20 vite që nga sulmet terroriste mbi “Kullat Binjake”, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

2 mijë e 977 njerëz kishin mbetur të vdekur, më 11 shtator 2001.

Sulmet ishin kryer nga organizata terroriste Al-Qaeda, të cilët kishin rrëmbyer disa aeroplanë për të nisur sulmet.

Në përkujtimin e kësaj dite, presidenti amerikan, Joe Biden, kërkoi unitet.

“Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minuta, orë, muaj dhe vite më pas”, ka thënë Biden, gjatë një mesazhi të publikuar, të premten.

Lexo edhe:
Danimarka shteti parë i BE-së që heq të gjitha kufizimet e COVID-19

Pas këtyre sulmeve terroriste, ngjarje të shumta kishin pasuar në Lindjen e Mesme.

Ndërhyrja amerikane në Irak dhe Afganistan ndodhën pak kohë më pas, nën urdhrin e presidentit të atëhershëm, George Bush.

Madje, misioni në Afganistan ka përfunduar veç pak javë më parë.

Atë kohë amerikanët kishin larguar nga pushteti grupin militant, talebanët – të cilët tash morën drejtimin e Afganistanit menjëherë pasi forcat amerikane dhe të aleatëve u larguan.

Për këtë largim, Joe Biden ka marrë kritika, pasi 78 vjeçari kishte premtuar se grupi militant “s’mund ta pushtojë Afganistanin”.

Por, ushtria afgane e mbështetur nga SHBA-të nuk rezistoi, brenda pak ditëve shumica e territorit përfundoi në duart e grupit largimi i të cilëve 20 vite më parë erdhi me ndërhyrjen amerikane. /Shqip.com