Lajme

FOTO/ E kritikoi në Kuvend, Albin Kurti i rri larg Ramës në stadium! Ja me kë e pa ndeshjen kryeministri i Kosovës

As kombëtarja nuk i bëri bashkë Edi Ramën dhe Albin Kurtin. Dy kryeministrat kanë ndjekur nga afër ndeshjen Shqipëri-Çeki në stadiumin “Air Albania”, por në tribuna të ndara. Disa orë përpara ndeshjes, Edi Rama u kujdes të deklaronte në Kuvendin e Shqipërisë ku po diskutohej rezoluta për Kosovën se e kishte mik Albin Kurtin. Por, shefi i ekzekutivit shqiptar nuk kurseu as kritikat për të kur tha se në raportetet me partnerët ndërkombëtare, Kurti bëri që Beogradi të fitojë pikë përballë Prishtinës. Rama theksoi se Kosova duhet të pranojë planin franko-gjerman për asociacionin e komunave serbe dhe sipas tij kjo marrëveshje është shans historik dhe bazë për arritjen e paqes me Serbinë.

Këto komente por edhe ato për situatën në veriun e Kosovës ku Edi Rama insiston se KFOR duhet të marrë situatën nën kontroll, kanë ftohur edhe më tej raportet mes dy kryeministrave, gjë e cila u dëshmua edhe mbrëmjen e kaluar.

Siç shihet edhe nga pamjet që sjell Shqip.com, Rama shoqërohet në tribunën VIP ndër të tjera nga bashkëshortja Linda Rama, djali i vogël Zaho, presidenti i FSHF, Armand Duka si dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Ndërkohë që Albin Kurti shihet në llozhën e tribunës, një kat më lart se Rama, së bashku me Lulzim Jasharin, djalin e Adem Jasharit, ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Zveçla, ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku si dhe zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Duke qenë në dy tribuna të ndryshme, Rama dhe Kurti kanë shmangur kontaktet mes tyre.

Albin Kurti është parë duke festuar golat e kuqezinjve në portën çeke. Në rrjetet sociale ai dhe Lulzim Jashari janë konsideruar si “hajmalia” e kombëtares në këtë sfidë vendimtare për rrugëtimin drejt kualifikimit në Euro2024.

Pas përfundimit të ndeshjes së Shqipërisë në Tiranë dhe Kosovës në Andorra, fitore shqiptare me shifra të njëjta 3:0, Albin Kurti bëri një postim në rrjetet sociale.

“Festë e madhe, sepse fitore e dyfishtë. 3-0 Shqipëria, 3-0 edhe Kosova. Jemi gëzuar e kënaqur të gjithë me këto dy fitore të bukura. Shqipëria drejt EURO 2024, e Kosova me lojë të dalluar. Urime lojtarëve, trajnerëve, tifozëve dhe të gjithë qytetarëve të dy republikave tona“, shkruan Kurti.

Vizita e Albin Kurtit në Tiranë ka zgjatur vetëm disa orë dhe e dedikuar vetëm për kombëtaren. Pas përfundimit të ndeshjes Shqipëri-Çeki, Kurti është rikthyer në Prishtinë pasi agjenda e mëngjesit të kësaj të premte ishte tejet e ngarkuar, duke nisur nga takimet me dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

Rezoluta për Kosovën
Me 101 vota pro, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ka miratuar rezolutën për Kosovën që dënon sulmin në Banjskë, të kryer nga terroristët serbë më 24 shtator., ku mbeti i vrarë në krye të detyrës, polici Afrim Bunjaku.

Siç rrallë ndodh, mazhoranca dhe opozita u bënë bashkë për hartimin e rezolutës që thekson rëndësinë e mbrojtjes së interesave të përbashkëta dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa parashtrohen tre pika.

Në këto tre pika kërkohet hetim ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit, si dhe për faktin që qeveria e Kosovës të punojë me aleatët ndërkombëtarë.

“Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës;

Në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon;

Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023″;

/Shqip.com