Rama: Kosova po humb shansin historik të planit franko-gjerman. Serbia mori “dhurata” nga gabimet e Prishtinës!
Kryeministri Edi Rama përcolli sot disa deklarata të forta nga Kuvendi i Shqipërisë ku u zhvillua seanca e posaçme parlamentare për situatën në veriun e Kosovës dhe u diskutua rezoluta e përbashkët mazhorancë-opozitë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Nga foltorja e Kuvendit ku mbajti një fjalim prej rreth dy orësh, Rama u shpreh se Kosova po humb shansin historik për t’u ulur në tavolinën e negociatave me planin franko-gjerman. Rama thotë se Kosova duhet të formojë asociacionin, që sipas tij është kthyer në një litar që po i shtrëngon fort këmbët e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Rama nuk kurseu kritikat kur tha se Shqipëria është një zë i fortë për rajonin në SHBA e BE, por se puna e saj po dëmtohet nga qëndrimi që po mban Albin Kurti, sipas tij, për konsum të brendshëm politik.
“E kam thënë në samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR. Fokusimi tek suksesi dhe jo dështimi i plantit franko gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk duhet mbajtur një litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektin për tu bërë pjesë e OKB, NATO, BE. Ai litar duhet këputur një orë e më parë. Nuk duhet shkencë, duhet logjikë të ftohtë, për të kuptuar se ai as duke mos u bërë është kthyer në një litar. Do vazhdojë të shtrëngojë këmbët e Republikës së Kosovës. Të mos e shohësh këtë do të thuash që mos të duash t’ia dish fare se si duhet hedhur hapi tjetër. Kosova po rrezikon të humbasë shansin historik, të planit franko-gjerman për të bërë një progres në dialogun me Serbinë. Nëse bëhet si duhet në bashkëpunim me aleatët, Serbia s’do lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këtë kohë mes Brukselit dhe Uashingtonit duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në dialog”, tha Rama.
“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së si dhe vetëviktimimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë”.
/Shqip.com