Lajme

FOTO / Dy inxhinierë dalin me “raport” pas rrëzimit të çatisë së objektit të Komunës

Arkitekti Visar Geci, pas një analize të përbashkët të çatisë së Komunës së Prishtinës që e bëri bashkë me arkitektin Gëzim Kastrati dhe me inxhinierin e ndërtimtarisë Arbër Muçajn, thotë se puna e kryer në këtë objekt është bërë jashtë standardeve profesionale e në disa pjesë me materiale të dobëta.

Kulmi i rrëzuar ka lënduar rëndë një qytetare, e cila vazhdon të jetë nën mjekim.

Geci thotë se kjo s’u bë nga mosdija, por nga mungesa e etikës në punë. Ai shtoi se ata që e kanë mbikëqyrë ndërtimin e objektit dhe ata që kanë bërë pranimin teknik kanë përgjegjësi.

“Kushdo që e ka ekzekutue këtë punë, mbikqyrësi dhe ai që e ka ba pranimin teknik jan’ flliqina e k’ti vendi! Pa pik’ morali e etike pune! Edhe me ju pas’ urdhnu me tytë pushke n’ball’ me ba kët’ vepër t’flliqt u dasht mos me ba sepse e keni dit’ SIGURT që dikon ka me marr n’qafë! Me ba deri n’kit nivel k’so “gabime” nuk asht punë mosdije por asht poshtërsi e papërgjegjësi e bane qëllimisht!”, ka shkruar ai.

Në atë që ai e quajti raport, Geci tha se “kulmi përgjatë perimetrit të tij ka pasur strehë. Si pasojë e erërave, presioni i krijuar nën strehën e kulmit e ka nda konstruksionin e kulmit nga muri vertikal ku kulmi ka peshuar. Pas pamjeve dhe hulumtimeve në teren kemi hasur në shumë parregullësi të ekzekutimit të punimeve në konstrukcsonin e kulmit”.

Në një postim në Facebook ai ka ndarë edhe fotografitë nga objekti i komunës së re të Prishtinës.

/Shqip.com