Ekonomi

FMN: Rritja ekonomike më 2023-3.8%, më 2024-4.2%

Bordi Ekzekutiv i FMN-së ka përfunduar rishikimet e para të Marrëveshjes Stand-By me Kosovës dhe marrëveshjes së Instrumentit të Rezistencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF), duke vënë në dispozicion rreth 24.8 milionë euro dhe 38.4 milion € mbështetje buxhetore për secilën prej dy marrëveshjeve përkatëse.

FMN ka thënë se autoritetet po bëjnë përparim shumë të mirë në zbatimin e axhendës së tyre të reformës ekonomike dhe rritja (ekonomike) ka qenë e fortë, pavarësisht nga lëvizjet negative globale dhe rajonale, dhe tensionet gjeopolitike.

“Inflacioni është në një prirje të fortë të rënies. Objektivat fiskalë për qershorin dhe shtatorin 2023 sipas SBA-së u arritën me lehtësi dhe të gjitha standardet strukturore janë zbatuar. Buxheti i vitit 2024 është në përputhje me objektivat e programit dhe me kornizën fiskale të bazuar në rregulla të Kosovës. Reformat e zbatuara në kontekstin e SBA-së kanë synuar ta bëjnë sistemin tatimor më të drejtë, të rrisin pajtueshmërinë tatimore, të përmirësojnë vlerësimin e rrezikut fiskal dhe të forcojnë menaxhimin e investimeve publike, transparencën fiskale dhe llogaridhënien”, thuhet në njoftimin e FMN-së.

Ky institucion ka thënë se emërimi i guvernatorit të ri të BQK-së në muajin gusht, ka sjellë një vrull të ri për zbatimin e reformave, derisa ka shtuar se ligji i ri për sektorin bankar, pritet të dërgohet në Kuvend në fillim të vitit 2024. Banka Qendrore e Kosovës po punon gjithashtu për forcimin e strukturave të saj qeverisëse, me mbështetjen e Fondit.

“Të gjitha masat reformuese të mbështetura nga RSF janë zbatuar. Masat e reformës së RSF-së do të reduktojnë emetimet dhe do të përmirësojnë cilësinë e ajrit duke rritur pjesën e burimeve të rinovueshme në energji, duke përmirësuar efikasitetin e energjisë dhe duke forcuar funksionimin dhe integrimin rajonal të sistemit energjetik të Kosovës dhe tregjeve të energjisë. Një ligj i ri për burimet e rinovueshme të energjisë është dërguar në Kuvend dhe do të hapë rrugën për tërheqjen e financimit privat për energjinë e gjelbër”.

FMN ka deklaruar se përpjekjet e vazhdueshme për të vlerësuar ndikimin e mundshëm të mekanizmit të ardhshëm të rregullimit të kufirit të karbonit të Bashkimit Evropian (CBAM) janë të lavdërueshme.

Zbatimi i rekomandimeve të C‑PIMA, do të lehtësojë, me kalimin e kohës, që investimet publike të bëhen më të synuara, efikase dhe më elastike ndaj klimës. Ndikimi afatmesëm i këtyre masave pritet të jetë pozitiv dhe i madh, duke nënvizuar përfitimet e burimeve të RSF-së për Kosovën.

FMN ka paraparë që rritja ekonomike gjatë këtij viti të jetë 3.8%, përderisa në vitin 2024 të arrij në 4.2%.

/Shqip.com