Lajme

Flasin nga Prokuroria në Prishtinë për aksidentin e shkaktuar nga Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Aksidenti i ministres, Rozeta Hajdari, është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes.

Kështu ka bërë të ditur për Shqip.com zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila ka njoftuar se fëmija i aksidentuar është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se pas informimit të prokurores kujdestare nga policia, bazuar në raportin mjekësor se, personi i mitur pasi ka pranuar tretman mjekësor është liruar në gjendje të mirë në shtëpi, konform dispozitave ligjore, rasti është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes”, ka thënë Ulaj.

Të dielën gjatë ditës, Ministrja, Rozeta Hajdari ka goditur me makinë një fëmijë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Hajdari përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se papritur në rrugë janë shfaqur dy fëmijë në vrapim dhe njëri nga ta është përplasur në veturën e saj.

Lexo edhe:
Aksidentohet Ministrja Hajdari: Një fëmijë u përplas në veturën time

“Sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time”, ka shkruar ajo./Shqip.com