Kulturë

Fituesit e krijimtarisë letrare për të rinj

Foto e përbashkët e fituesve bashkë me organizatorët nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) në Tiranë mbajti ceremoninë e shpalljes së fituesve të fondit mbështetës të krijimtarisë letrare për të rinj.

E pranishme në këtë ceremoni ka qenë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ajo shprehu mbështetjen e saj për nismat, në kuadër të mbështetjes së krijuesve të rinj, nisma këto të artikuluara dhe realizuara nga QKLL-ja që në krijimin e saj, e të cilat vazhdon t’i ketë në politikat e saj ndaj autorit shqiptar dhe librit shqip.

Juria, e kryesuar nga dramaturgu Stefan Çapaliku dhe gazetarja Arta Marku, mes 16 kandidatëve, zgjodhi 3 fitues:

Në poezi
Nurie Emrullai, me librin poetik “Lëre dashurinë të vijë si të dojë”, si autore e një poezie me theks të fortë bashkëkohor, të përpunuar mbi parime të kthjellëta estetike, spontane në figuracion dhe e struktuar qartë në narracionin e vet.

Në prozë
Dionis Prifti, me librin me tregime “Bar Sahara”, si autor i një tufë tregimesh, në të cilat realiteti nuk pasqyrohet, por interpretohet mbi parime surrealiste, me anën e një stili poetik dhe mjaft vetjak.

Në dramë
Ledian Gjeçi, me dramën “Pak pakt”, si autor i një vepre të mirërealizuar në të gjithë komponentët e saj: tematikë e mprehtë, ndërtim solid karakteresh, konflikt i thekshën dramatik.