Lajme

Shaip Kamberi sërish fiton mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë

Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar, Shaip Kamberi, ka arritur votat e nevojshme që të bëhet deputet në Parlamentin e Serbisë. 

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, vetë Kamberi.

“Po, i kam votat e mjaftueshme për të qenë deputet në parlamentin e Serbisë”, tha ai.

Kamberi, në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.

Ai, kishte kërkuar ri-përsëritje të votimit, pasi sipas tij zgjedhjet janë karakterizuar me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të “pasivizimit të adresave të shqiptarëve”.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13 mijë vota.

Për votimin e Kamberit, kishte bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se e meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë.

“Për dy mandate përfaqësimi Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi”, ka deklaruar kryeministri.

Ndërkaq, koalicioni tani ka marrë 13 mijë e 697 vota, duke e plotësuar normën për një mandat/Shqip.com