OP-ED Kolumne

Fitorja e Albin Kurtit në dialog, do ta zhbënte ekzistencën e LDK-së dhe PDK-së, prandaj dëgjohen klithmat e frustruara!

Takimi i Brukselit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i ndërmjetësuar nga BE-ja - REUTERS/Johanna Geron/File Photo
Takimi i Brukselit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i ndërmjetësuar nga BE-ja - REUTERS/Johanna Geron/File Photo
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Java që po lëmë pas ishte nga më dinamiket sa i përket dialogut Kosovë – Serbi. Takimet disaorëshe fillimisht bilaterale dhe më pas edhe triaterale kishin marrë vëmendjen e të gjithëve ku diskutohej për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve që kanë mbetur me më shumë se dy dekada në qarkun e mbyllur ku kërkoheshin marrëveshje për mos t’u marrë vesh!

Pas takimi të 27 shkurtit, të ndërmjetësuar nga zyrtarët e BE-së, Mirsolav Lajçak e Josep Borrell, u bë publik edhe propozimi i BE-së, i përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe mbi të gjitha, me garancë dhe mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm që të vazhdojë diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së. Për herë të parë bëhej publik një plan në fazën e diskutimeve, e jo si në të kaluarën kur tjetër çka premtohej dhe detajet bëheshin publike vetëm në seancat ku duhej të ratifikoheshin marrëveshjet e arritura.

Dhe, aty fillonte edhe kundërshtimi i ashpër opozitar, me të drejtë. Secila marrëveshje e arritur që nga viti 2011, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ishte në favor të Serbisë.

Në vend se të kapitalizohej vendimi i GJND-së nga ana e pushtetarëve, ndodhte e kundërta. Kapitujt e parë përfshinin vetëm themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe modalitetet se si ky kancer do të instalohej në një organizëm ende të paformuar mirë, shtetin e ri të Kosovës. Pra, thuajse ishte një sforcim për abortim të një shteti të posalindur.

Marrëveshja e vitit 2011 me kryefjalë Asociacionin do të vazhdonte të përshkallëzohet në vitin 2013 dhe përfundimisht në vitin 2015 do të sillte tensionet e ashpra në Kuvendin e Kosovës.

Tymi i gazit lotsjellës do të largonte mjegullën mbi marrëveshjet përmes të cilave Serbisë do t’i bëheshin kompromise nga më të dhembshmet, ndërsa ajo do të tolerohej nga faktori ndërkombëtar që mos ta zbatonte asnjërën që eventualisht do të ishte në favor të Kosovës. Për më tepër do t’i shkelte me dy këmbët ato duke lobuar me agresivitet kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

Shikuar nga ky këndvështrim, marrëveshja e bërë publike tash së fundmi kur Albin Kurti e përfaqëson Kosovën në tavolinën e dialogut, ishte e një dimensioni krejtësisht tjetër nga ato që jemi mësuar t’i shohim deri tani. Është marrëveshja që do të duhej ta negocionin 13 vite më parë, pararendësit e Kurtit. Por, përpos që nuk e bënë këtë shkaku i paaftësisë, ata sot kanë shpërthyer kundër jo vetëm për ta sulmuar Albin Kurtin, por edhe për t’i mbuluar dështimet e tyre.

Pra, propozim marrëveshja që u prezantua së fundmi dëshmoi se me më shumë përpjekje, me më shumë këmbëngulje, mund të nxjerrësh një dakordim ku kryefjalë janë sovraniteti territorial dhe barabarësia midis palëve.

Andaj, nuk është i rastësishëm revoltimi i dy partive kryesore të cilat e bartin peshën e mëkateve të dialogut në të kaluarën, LDK-së dhe të PDK-së. Realiteti që ju përplaset për surrati është i idhët. Në njërën anë lexojnë një propozim marrëveshje që sjell një dimension të ri të dialogut, dalje nga rrethi vicioz nga i cili në vazhdimësi përfitonte vetëm Serbia – veçanërisht në kohë, si dhe në anën tjetër opozita e sotshme që ishte pushteti i deri djeshëm, e ka të pamundur të mbajë mllefin ndaj një njeriu që deri më tani nuk i bëri asnjë koncesion Serbisë.

Një njeri që dëshmoi se më të rëndësishëm e ka shtetin dhe pushtetin, ndërsa në tavolinën e bisedimeve më shumë i rëndon barra e gabimeve të bëra në të kaluarën sesa ballafaqimi me palën kundërshtare.

Derisa për zyrtarët e BE-së takimi i 27 shkurtit ka qenë i suksesshëm dhe të dy liderët janë pajtuar se më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së, opozita e përbërë nga PDK dhe LDK nuk po gjen qetësi. Ata e shohin se në këtë proces e kanë zhvlerësuar pafundësisht vetveten kur pritet implementimi i marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj.

Sa më shumë që afron takim i radhës që pritet të mbahet më 18 mars, më e ashpër bëhet gjuha e Vuçiçit dhe opozitës (LDK dhe PDK). Që të dy palët kryefjalë e kanë “Asociacionin”, atë që kalimthi tani përmendet në pikën e fundit të planit “Franko-gjerman”.

Që të dy palët i bashkon interesi i vetëm – dështimi i marrëveshjes! Vuçiçit ngaqë më lehtë e ka të bëjë pazare me ata që ishin dikur, ndërsa LDK-së dhe PDK-së ngaqë po përballen me sfidën e ekzistencës apo mosekzistencës. Një fitore e Albin Kurtit, respektivisht e Kosovës në dialog, do të shënonte edhe përgjysmimin e radhës për këto parti opozitare, rrjedhimisht edhe fundosjen e tyre.

/Shqip.com