Lajme

Gjykata e Durrësit ‘blihet’ me 2 mln euro? Si u “zhvesh” nga akuzat e trafikut të kokainës bosi i “Bana King” Trifon Murataj, iu kapën 2 herë kontejnerët me drogë

Rexhep Bekteshi, hetues gjatë komunizmit, është gjyqtari që konfirmoi dhe vulosi letrat e Prokurorisë për të nxjerrë të pastër nga kokaina bananet e biznesmenit Trifon Murataj. Bosi i ‘Baba King’, Trifon Murataj besohet se ka paguar mbi 2 milionë euro drejtësinë e Durrësit për të pastruar bananet e tij nga kokaina. Mbyllja e dosjes është bërë në koordinim mes Trifon Muratajt, Prokurorisë së Durrësit dhe gjyqtarit Rexhep Bekteshi, duke evituar edhe ankimimin, pasi bosi i bananeve me kokainë, përmes sekserëve të duhur, ka çuar paratë në vendin e duhur.

Sinjalizohet se Murataj ka hedhur një vlerë të tillë për korruptuar prokurorinë dhe gjykatën për shkak të disa episodeve të trafikimit të kokainës në kontenierët e tij të bananeve, fakteve dhe provave që duhej të kapërceheshin, qepjes së sforcuar të pafajësisë, zhurmës që do të bënte mbyllja e dosjes, rreziku i angazhimit të SPAK-ut dhe aq më tepër reagimi ndërkombëtar, pasi Murataj është skeduar nga DEA amerikane si El Chapo shqiptar.

Rexhep Bekteshi, 69 vjeç, i cili ka shtyrë daljen në pension përmes manorave në KLGJ, duket se ka bërë goditjen e fundit në karrierën e tij si gjyqtar, ku pensioni ndoshta do t’i duket bakshish. Fuqia financiare e Tifron Muratajt ka prodhuar çudira në drejtësinë e Durrësit. Rexhep Bekteshi ka vendosur të pastrohen plotësisht të gjitha akuzat ndaj presidentit të kompanisë Trifon Murataj, administratorit Petrit Demishaj dhe vetë subjektit juridik. Vendimi, i cili u shpall më 23 qershor 2026 nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, ka marrë formën e prerë dhe nuk mund të apelohet më.

Në tetor të vitit 2022, autoritetet zbuluan për herë të dytë në kontejnerët e kësaj kompanie, këtë radhë 33.5 kilogramë kokaine të fshehura në një kontenier mes ngarkesave me banane që mbërritën në Portin e Durrësit.

Megjithatë, prokuroria dhe procesi gjyqësor thotë se “Bana King” nuk ishte e përfshirë në kontrabandim. Përkundrazi, sipas drejtësisë kompania ishte viktimë e rrjeteve ndërkombëtare kriminale që përdorin qëllimisht rrugët legjitime të tregtisë për të kaluar kokainën nga Amerika Latine në Europë.

Autoriteti i Dosjeve: Rexhep Bekteshi, hetues i komunizmit

Në vitin 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ndaloi kandidimin e gjyqtarit të Durrësit, Rexhep Bekteshi, për një post vakant në Gjykatën Kushtetuese, pasi ka rezultuar se ai ka marrë pjesë në një proces politik, në vitin 1990.

Gjyqtari Bekteshi u përfshi në procesin e verifikimit të shumëfishtë të integritetit nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pas aplikimit që ai dorëzoi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, në vijim të thirrjes së shpallur nga Presidenti i Republikës në Shkurt 2018.

Autoriteti i Dosjeve ka konstatuar se Bekteshi ka qenë hetues i një të pandehuri, ndaj të cilit është zhvilluar proces gjyqësor për Agjitacion e Propagandë.

Gjyqtari Bekteshi ka kundërshtuar gjetjen e Autoritetit të Dosjeve. Në sqarimet që i ka dhënë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai mohon të ketë marrë pjesë në procese politike në periudhën e komunizimit.

“Në periudhën 1980-1991 kam qenë hetues në Hetuesinë e Rrethit Durrës. Kam hetuar çështje për vepra penale në sektorin e Kundër Jetës dhe Shëndetit të Personit e Vjedhjes së Pasurisë. Nuk kam qenë hetues për vepra penale kundër shtetit dhe nuk kam marrë pjesë në procese të posaçme”, thotë gjyqtarit Bekteshi në shkresën drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Sa për faktin e evidentuar nga Autoriteti i Dosjeve, gjyqtari Bekteshi shprehet: “Nuk e mbaj mend konkretisht këtë rast, por mendoj se ky rast ka qenë çështje për vjedhje, e ndërthurur me Agjitacion e Propagandë”.

I skeduar edhe nga DEA amerikane, bëmat e Trifon Muratajt

I skeduar edhe nga DEA amerikane si një El Chapo shqiptar, Trifon Murataj, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare në 4 nëntor 2022, për trafik sistematik kokaine nga vendet e Amerikës Latine, përmes importit të bananeve. Murataj u fsheh në Tiranë. Më pas, sipas disa raportimeve mediatike, Murataj i zgjidhi punët, duke hequr masën e sigurisë përmes Gjykatës së Durrësit.

Trifon Murataj pretendonte se ndodhet në SHBA, por në fakt bosi i Bana King lëvizte nëpër Tiranë me një kapele në kokë, ku dyshohet se vijon trafikun e kokainës.

Kur zyrtarisht ishte në kërkim, Trifon Murataj, përmes një numri amerikan që përdor nga Tirana, nisi t’u shkruante dhe t’u telefononte drejtuesve të lartë të policisë në Tiranë, duke i akuzuar ata se po i dëmtojnë biznesin e bananave me vonesat në port për shkak të kontrolleve për kokainë.

Disa drejtues policie nuk u kanë besuar syve dhe veshëve. Është e pazakontë që një i kërkuar për trafik kokaine t’i kërkojë llogari policisë se po i pengojnë linjën e trafikut.

Teksa një drejtues i lartë në Tiranë i kishte kërkuar Trifonit të paraqitej vetë në polici për pretendimet që kishte, trafikanti e kërcënoi duke i thënë se do të kishte pasoja. Nuk dihet nëse bosi i kokainës i ka shkruar edhe ish ministrit të Brendshëm për shqetësimin e tij lidhur me kontrollet në kontenierët e kokainës.

Murataj rikthehet në krye të Bana King

Në gusht të vitit 2023, bosi i Bana King, Trifon Murataj, i skeduar edhe nga DEA amerikane si një El Chapo shqiptar, ka larguar mëkëmbësin e tij Petrit Demishajn, duke marrë vetë në administrim kompaninë e trafikut të kokainës me banane nga vendet e Amerikës Latine.

Murataj, i cili gjithnjë pretendon se kokainën ia fusin fshehurazi në arkat me banane, u shpall në kërkim vetëm pas herës së katërt që në maunet e tij kapej kokainë.

Pasi nisi të ekspozohej në tre episode të trafikut të kokainës, Trifon Murataj, në korrik të 2022, pra 6 muaj para se të shpallej në kërkim, caktoi Petrit Dermishajn administrator të kompanisë Zico të Bana King.

Pas episodit të fundit të trafikut të kokainës, organet ligjzbatuese shqiptare kanë tentuar të marrin në pyetje Demishajn, i cili ishte larguar jashtë vendit, me sa duket nga frika e arrestimit.

Ai është përgjigjur në telefon, duke pretenduar se ishte në SHBA. Petrit Demishajt ka pohuar se është punësuar që në vitin 2010 tek kompania Zico e Trifon Muratajt, si shef i logjistikës.

Murataj në hije dhe Dermishaj në skenë vijuan drejtimin e kompanisë, në bashkëpunim me Desantila Murataj, Anastas Kriqi, Mikel Selami, Ylvi Hana etj. Por, në korrik të vitit 2023, Murataj është rikthyer si administrator.

Shkresa e DEA-s amerikane: Trifon Murataj i bananeve dhe Ben Qimja trafik kokaine nga Ekuadori

Hakerat që sulmuan sistemet e sigurisë shqiptare, publikuan e-mailet zyrtare të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Mes këtyre e-maileve të publikuara shihet edhe korrespondenca me DEA-n e Athinës, ku është njoftuar Policinë e Shtetit për një kompani shqiptare që kryen trafik kokaine nga Ekuadori.

Bëhet fjalë për Trifon Muratajn, bosin e kokainës së maskuar me Bana King që reklamon Ardit Gjebrea dhe Ben Qimja.

Drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë nxjerr emrat e porositësve të kokainës, po ashtu dhe pronarit të kompanisë Shqiptare, me seli në Durrës.

Sipas publikimit të hackerave, e-maili i është përcjellë Gledis Nanos nga Tonin Vocaj 31 dhjetor të vitit 2021, po ashtu përcillen dhe e-mailet e agjentit të DEA-s në Greqi për këtë kompani trafiku.

Trifon Murataj sjell kokainën kamufkuar me banane, Ben Qimja e ruante. Skandali konsiston në faktin se policia nuk i ka goditur.

Jo vetëm jaq, por policia kërkon që këto informacione të mos publikohen. Zbulimi i e-maileve ka nxjerrë në pah se si kapot e drogës qeverisin vendin./ Prapaskena

©Shqip.com