Kulturë Kino

Filmi kosovar ‘Vera Andrron Detin’, shpallet filmi më i mirë në “goEast Film Festival”

Filmi i njohur kosovar “Vera Andrron Detin” ka fituar çmimin për filmin më të mirë në konkursin kryesor të festivalit të filmit ‘goEast’.

Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës po shënon suksese të njëpasnjëshme.

Lajmin e ka bërë të ditur regjisorja Kaltrina Krasniqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“E lumtur që e ndaj këtë moment me ty, Teuta, “Vera Andrron Detin”, shpërblehet Filmi më i mirë në konkursin kryesor”, ka shkruar Krasniqi.

Ky film ka si personazh kryesor Verën, përditshmëria e qetë e së cilës, çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.

Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./Shqip.com