Lajme

Fillon seanca për 100 ditët e Qeverisë, mungon Kurti, ministrat dhe disa deputetë

Foto: EO

Seanca e Kuvendit në lidhje me punën 100 ditore të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, po mbahet pa praninë e këtij të fundit, ministrave dhe disa prej deputetëve, njofton Shqip.com.

Seanca për debat e iniciuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka filluar me një fjalim kritikues ndaj opozitës nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka.

Uka e ka kritikuar opozitën për mosreflektim.

“Opozita nuk mund të bëjë më shumë se kaq që po e shohim. Ka shpresë që opozita do të reflektojë”, ka thënë ai.

Ndërsa, ndaj deklaratës së Ukës ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se janë mbledhur të flasin për 100 ditëshin e qeverisë e jo të opozitës.

“Krejt çka i keni ofruar qytetarëve brenda këtyre ditëve është mashtrimi, hajnia, korrupsioni” ka thënë Haxhiu.

Haxhiu po ashtu akuzuar LVV-në se “ia ka humbur mundësinë të rinjve të udhëtojnë jashtë vendit”, duke përmendur procesin e liberalizimit të vizave.

“Me kauzën e demarkacionit, qeverisja Vetëvendosje ia ka huqur mundësinë rinisë për liberalizim të vizave. Sa i përket të kaluarës, shikojë deputetët e PDK-së, secili është krenar me te kaluarën e tij. VV-ja deri tani ka mundësuar hajni dhe vjedhje, duke emëruar familjarët në odat dhe bordet e ndryshme”, ka thënë ai.

Uka ka kundër replikuar duke thënë se sa herë që përmendet keqqeverisja, “ka disa zëdhënës të saj që reagojnë”./SHQIP.com