Lajme

Fillojnë hetimet për vdekjen e 23-vjeçares nga Drenasi

Klinika Emergjente e QKUK-së.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për vdekjen e 23-vjeçares nga Drenasi, për të cilën ka reaguar edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila tha se rasti po trajtohet nga Departamenti i Krimeve të Rënda.

Lexo edhe:
QKUK: 23-vjeçarja nga Drenasi vdiq nga gjakderdhja në bark

“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, mund t’ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda, është duke e trajtuar rastin në fjalë”, tha Ulaj.

Ndërkaq, lidhur me vdekjen e saj ka reaguar edhe QKUK duke thënë se ajo kishte ndërruar jetër për shkak të gjakderdhjes së madhe në bark dhe se familjarët e saj kanë refuzuar obduksionin.

Lexo edhe:
Familja nga Drenasi dyshojnë se vaksina anti-COVID’19 ua mbyti vajzën

Përmes një komunikate për media, nga Emergjenca thonë se pacientja është sjellë në klinikë, me humbje të vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar, ku më pas nuk ka arritur të mbijetonte.

“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I (1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar”, thuhej ndër tjerash në njoftimin e QKUK-së.

Kurse, familjarët e së ndjerës kishin deklaruar se vdekja e saj erdhi dy ditë pasi ajo u vaksinua kundër Coronavirusit.

Një familjar i saj ka publikuar foton e kartelës ku shihet se e ndjera ka marrë vaksinën Pfizer, teksa ka thënë se shkaktar për vdekjen e saj është pikërisht vaksina që ka marrë./Shqip.com