Lajme

Ferizaj: Një 17 vjeçar humbë jetën në vetaksident

Ilustrim

Një 17 vjeçar ka ndërruar jetë në mëngjesin e 3 gushtit, si pasojë e një vetaksidenti të shkaktuar në fshatin Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj, njofton Shqip.com.

Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa lëndime ka marrë edhe një 21 vjeçar.

Rasti e ka konfirmuar Drejtoria Rajonale e Policisë në këtë komunë, me anë të një njoftimi për media, ku thuhet se aksidenti fatal për të miturin ndodhi rreth orës 06:50.

I lënduari ka marrë ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.  

“Sot, rreth orës 06:50 në fshatin Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj, ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, e përshirë vetëm një automjet civil i udhëtarëve me targa vendore. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën lokale, nga fshati Pojatë në drejtim të Ferizajt dhe për shkak të mospërshtatjes së shpejtesisë së lëvizjes së automjetit, drejtuesi humb kontrollin mbi automjet, kalon në anën e djathtë të rrugës, drejtimi i lëvizjes dhe godet një shtyllë elektrike të betonit, ku dhe përfundon jashtë rrugës”, thonë nga Policia.

“Si pasojë e këtij aksidenti të komunikacionit, humb jetën pasagjeri L.A, i moshës 17 vjeçar, (vdekjen e tij, e ka konfirmuar në vendin e ngjarjes, mjeku nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal të Ferizajt) ndërsa lëndime trupore pëson, drejtuesi i automjetit N.A (M/K) i moshës 21 vjeçar, i cili pasi ka marr ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, i njëjti për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, bëhet e ditur më tej në njoftim.

Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Prishtinë. /SHQIP.com